Presidenti i zgjedhur Donald Trump u takua dje me drejtues të disa prej kompanive më të mëdha teknologjike amerikane, shumë prej të cilëve ishin ndër kritikët më të ashpër të tij gjatë fushatës elektorale. Por, gjatë diskutimeve në takim nuk pati shenja të kësaj armiqësie.
Zyra e zotit Trump tha se ai dëshiron të fillojë një dialog dhe një partneritet për të nxitur novacionin dhe për të krijuar më shumë vende pune.
Në takimin në shtabin në Nju Jork të zotit Trump merrnin pjesë drejtorja e operacioneve të firmës “Facebook”, Sheryl Sandberg, drejtori i firmës “Amazon”, Jeff Bezos, drejtori i firmës “Tesla”, Elon Musk, si dhe bashkëthemeluesi i firmës “Google”, Larry Page.
Zoti Trump përdori një ton të përzemërt dhe pajtues në fillim të takimit.
“Janë të pashoq njerëzit që ndodhen në këtë sallë… Ne duam që të vazhdoni me novacionin tuaj të jashtëzakonshëm. Do t’ju ndihmojmë me gjithçka që mundemi”, tha zotit Trump.
Zoti Trump u kërkoi drejtuesve t’i telefonojnë drejtpërsëdrejti sa herë dëshirojnë të bisedojnë dhe sugjeroi që të takohen rregullisht, ndoshta çdo tremujor.
Zyra e Presidentit të zgjedhur dhe se ai ishte i hapur dhe dëgjoi me vëmendje gjatë diskutimit dhe se kjo përqasje e tij u vlerësua së tepërmi nga drejtuesit e kompanive teknologjike.
Asnjë nga drejtuesit nuk foli pas takimit me gazetarët, por zoti Bezos qarkulloi një deklaratë ku diskutimi përshkruhej si shumë produktiv.
Ai njoftoi se pati ndarë pikëpamjen e tij që administrata duhet ta shndërrojë novacionin në një nga piketat e saj kryesore, si diçka që do të krijonte vende të shumta pune në të gjithë vendin, jo vetëm në teknologji, por edhe në të gjithë sektorët – në bujqësi, në infrastrukturë, në manifakturë dhe kudo tjetër.
Shumë nga drejtuesit e firmave teknologjike patën përpara zgjedhjeve mosbesim të fortë rreth presidencës Trump, për shkak të kritikës së tij të fortë ndaj Kinës, kërcënimeve për të anulluar marrëveshjet e tregtisë dhe planet për të ulur emigracionin, gjë që do të ulte numrin e punonjësve të kualifikuar për kompanitë teknologjike.
Dje, një letër e hapur drejtuar zotit Trump, e nënshkruar prej punonjësve të mbi 200 kompanive teknologjike, deklaronte zotimin e tyre për të mos e ndihmuar administratën e tij për krijimin e një regjistri njerëzish sipas përkatësisë së tyre fetare, apo për t’u përdorur për deportimin e tyre.
Gjatë fushatës, zoti Trump u përplas shpesh me kompanitë e Silicon Valley. Ai u bëri thirrje votuesve të bojkotojnë kompaninë “Apple” për shkak të qëndrimit të saj rreth privatësisë, si dhe premtoi që kjo firmë do të fillojë të prodhojë kompjuterat dhe celularët iPhone në territorin amerikan.
Ai u përball me drejtorin e firmës “Facebook”, Mark Zuckerberg, për çështjen e emigracionit dhe akuzoi zotin Bezos që po e përdor gazetën në pronësi të tij, “The Washington Post”, si një skemë për të shmangur taksat. E përditshmja me influencë ka kritikuar zotin Trump në faqen e saj editoriale.
Zoti Trump u premtoi drejtuesve të kompanive të teknologjisë se do të hartojë marrëveshje tregtie të drejta, të cilat do t’ua lehtësojnë atyre tregtinë me vende të tjera.
Përpara takimit, drejtuesja e kompanisë “Oracle”, Safra Catz, tha se nëse zoti Trump do të mundet të reformojë kodin e taksave, të pakësojë rregullat shtrënguese dhe të negociojë marrëveshje më të mira tregtare, atëherë komuniteti i teknologjisë në SHBA do të jetë më i fortë dhe më konkurues se kurrë më parë.
Po dje, zoti Trump emëroi zyrtarisht ish-guvernatorin republikan të Teksasit, Rick Perry, dikur kundërshtar i tij politik, për të drejtuar Departamentin e Energjisë, për të cilin zoti Perry pati thënë se duhej shkrirë.
Në fillimet e hershme të garës presidenciale, zoti Perry e pati quajtur zotin Trump “një kancer të konservatorizmit”. Por, pasi u largua vetë nga gara, e mbështeti kandidaturën e zotit Trump, duke e quajtur “zgjedhjen e popullit”.
Departamenti i Energjisë mbikqyr arsenalin bërthamor të SHBA-së dhe nxit zhvillimin e projekteve në mbrojtje të mjedisit.
Kritikët thonë se zoti Perry do ta heqë vëmendjen e departamentit ndaj energjisë së rinovueshme dhe do ta rikthejë tek nafta dhe burimet e ngurta energjitike, të cilat zoti Perry i promovoi në shtetin naftëmbajtës Teksas, të cilin e shndërroi njëkohësisht edhe në prodhues kryesor të energjisë nga era.
Presidenti i zgjedhur gjithashtu emëroi Ronna Romney McDaniel, kryetaren e Partisë Republikane në Miçigan, për të drejtuar Komitetin Kombëtar Republikan, që deri tani drejtohej nga Reince Priebus, i cili do të bëhet shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë.
Zonja McDaniel është mbesë e ish-kandidatit republikan për president, Mitt Romney, i cili ishte ndër kandidatët për sekretar shteti. Ajo do të jetë gruaja e parë kryetare që do të mbajë këtë post pas 40 vitesh, që nga viti 1974 kur ishte kryetare Mary Louise Smith nga shteti Iowa.
Zoti Trump mendohet se do të emërojë gjithashtu ligjvënësin republikan Ryan Zinke nga shteti Montana, një ish-anëtar i forcave speciale të marinës, për postin e Sekretarit të Brendshëm.
Gazeta “The Washington Post”, thotë se zoti Zinke ushtron prej kohësh gjuetinë dhe peshkimin, dhe se mbështet mbajtjen e tokës publike nën pronësinë e qeverisë federale. Kjo do të krijojë kundërshti mes tij dhe anëtarëve të Partisë Republikane që mbështesin privatizimin e tokave federale apo vendosjen e tyre nën kontrollin e shteteve amerikane.
Zoti Trump gjithashtu është shprehur kundër kalimit të tokës federale nën kontrollin e shteteve amerikane./VOA