Sa herë që nis një sesion i merkatos, emri më i përfolur është ai i Kylian Mbappe. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe as në këtë janar, mirëpo kjo mund të jetë hera e fundit, pasi sulmuesi francez pritet të vendosë shumë shpejt për të ardhmen e tij.
Kontrata me Paris Saint-Germain skadon në qershor, ndërsa tani Mbappe është i lirë të marrë oferta nga çdo klub tjetër. Një e tillë ka mbërritur tashmë nga Real Madrid.
Sipas raportimeve më të fundit të mediave spanjolle, “Los Blancos” kanë bërë lëvizjen e fundit për “yllin” francez, duke vendosur në tavolinë 133 milion euro. Kjo shifër nuk do të ndryshohet, ndërsa tani topi është në fushën e Mbappe, që duhet të vendosë për të ardhmen e tij.
Ndërkohë, mediat franceze kanë zbuluar edhe paktin mes sulmuesit dhe klubit francez, për të cilin vetë futbollisti foli pas fitimit të Superkupës. Gjithçka lidhet me bonueset e sezonit të Kilian Mbape që kapin vlerën 80 milion euro. Nëse largohet, kjo shifër do t’i mbetet kampionëve francezë, ndërsa nëse rinovon, atëherë këto para do të kalojnë në llogarinë e Mbappe. /abcnews.al