OKB: Pothuajse një e treta e banorëve të Gazës nuk po hanë për ditë të tëra - Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Botë

    OKB: Pothuajse një e treta e banorëve të Gazës nuk po hanë për ditë të tëra

    Insajderi
    26 July 2025 - 09:52
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Pothuajse një e treta e banorëve të Gazës “nuk po hanë për ditë të tëra”, tha agjencia për ndihmë ushqimore e Kombeve të Bashkuara, duke shtuar se kriza ka arritur “në nivele dëshpëruese”.

    Programi Botëror i Ushqimit më herët kishte paralajmëruar për një “rrezik kritik nga uria” në Gazën e shkatërruar nga lufta, ndërkaq po intensifikohen kritikat ndërkombëtare ndaj veprimeve të Izraelit.

    “Pothuajse një në tre persona nuk po hanë për ditë të tëra. Kequshqyerja është në rritje me 90.000 gra dhe fëmijë që kanë nevojë urgjente për trajtim”, tha Programi Botëror për Ushqim.

    Kjo agjenci tha se 470.000 persona pritet të përballen me “uri katastrofike” – kategoria më kritike sipas Klasifikimit të Fazës së Integruar të Sigurisë Ushqimore të OKB-së – në periudhën ndërmjet majit dhe shtatorit të këtij viti.

    “Ndihma ushqimore është mënyra e vetme që njerëzit të kenë qasje në ushqim, pasi çmimet ushqimore janë rritur shumë”, tha Programi Botëror për Ushqim.

    “Njerëzit po vdesin për shkak të mungesës së ndihmës humanitare”.

    Grupet e ndihmës kanë paralajmëruar për rritjen e numrit të fëmijëve të kequshqyer në Gazë.

    Izraeli kufizon në minimumin e mundshëm futjen e ushqimit në Gazë, si dhe e mbikëqyr shpërndarjen e mëvonshme të tij. Izraeli kontrollon të gjitha pikat e hyrjes në Rripin e Gazës dhe rrjedhimisht edhe rrugët e transportit për ndihmat humanitare.

    Izraeli e justifikon kufizimin e ndihmave duke pretenduar se Hamasi – grupi i shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE – i plaçkit ato./REL


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    27 September 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark