Në një komunikatë të lëshuar nga Organizata për të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara, të cilët e përcjellë UNMIK-u, emrin e Kosovës e përdorë me fusnotë (*). Por në sqarimin e fusnotës thuhet se referenca ndaj Kosovës duhet të kuptohet si në përputhje me Rezolutën 1244 të OKB-së pa e paragjykuar statusin e saj.
“(*) Të gjitha referencat ndaj Kosovës duhet të kuptohen si në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (1999) dhe pa paragjykim ndaj statusit të Kosovës”, thuhet në fund të komunikatës.
Por aty nuk përmendet edhe pjesa tjetër e fusnotës, e cila tregon për mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila ka thënë se shpallja e pavarësisë së Kosovës është në përputhje me të drejtat ndërkombëtare.
Megjithatë, në këtë komunikatë bëhet e ditur se “raportuesja Speciale e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në fushën e të drejtave kulturore Karima Bennoune do të vizitojë Serbinë dhe Kosovën* prej 3 deri më 14 tetor 2016 për t’i vlerësuar përpjekjet për implementimin e të drejtës për të gjithë personat të marrin pjesë në jetën kulturore dhe të kenë qasje dhe ta gëzojnë trashëgiminë kulturore. Kjo do të përfshijë vlerësim të afërt të shkatërrimit të trashëgimisë së tillë, si në të kaluarën ashtu edhe aktualisht”.
“Mirëpres të mësoj se si Serbia dhe Kosova* e kuptojnë realizimin e të drejtave kulturore dhe përpjekjet për t’i zbatuar ato përmes politikave, veçanërisht në fushën e qasjes dhe shijimit të trashëgimisë kulturore,” tha ajo.
Gjatë vizitës së saj dhjetëditore, ekspertja do të takohet me autoritetet qendrore dhe lokale si dhe me grupe të tjera të interesit nga fushat e politikave kulturore, trashëgimisë kulturore dhe të drejtave kulturore, përfshirë këtu edhe akademikë dhe institucione të tjera relevante. Ajo do të takohet edhe me organizata të shoqërisë civile, përfaqësues të agjencive të OKB-së dhe të organizatave rajonale për të diskutuar mbi praktikat e mira si dhe sfidat rreth gëzimit të barabartë dhe nga të gjithë të trashëgimisë kulturore.
Raportuesja Speciale do të mbajë konferencë për shtyp në Prishtinë të mërkurën më 12 tetor, dhe në Beograd, të premten, më 14 tetor.
Raportuesja Speciale do ta prezantoj një raport gjithëpërfshirës në njërën prej mbledhjeve të ardhshme të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut./Insajderi.com