
Kandidati i LDK’së për deputet, Ardian Olluri, është shprehur se vandalizmi i shefit të asamblistëve të VV’së, Gëzim Sveçla, nuk është akt i rastësishëm.
Olluri, me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ ka thënë se ky është një skenar i mirëplanifikuar, ku dhuna po tenton të normalizohet si pjesë e politikës, shkruan Insajderi.
“Vandalizmi që po shohim në këtë video nuk është një akt i rastësishëm. Këto janë pjesë të një skenari të mirëplanifikuar, ku dhuna po tentohet të normalizohet si pjesë e politikës. Dhuna fillimisht u paraqit në skenë si reagim protestues për çështje të ndjeshme, ndërsa tani synohet ta shndërrojnë në një realitet të pranueshëm“, thuhet në postimin e kandidatit për deputet nga radhët e LDK’së.
“Institucionet publike janë simbole të Republikës dhe duhet trajtuar si të shenjta, edhe kur nuk pajtohesh me vendimet e tyre. Vandalizimi ndaj tyre, duke e arsyetuar me pretekstin e vendimeve të dëmshme, sjell vetëm dëme afatgjata. Kjo kulturë e dhunës dhe destruktivitetit është rrënimtare për themelet e shtetit tonë dhe minon besimin në demokraci“. /Insajderi.org/