Gazetari Parim Olluri në emisionin Pressing të T7, ka thënë se situata në veri prodhoi poshtërim për Njësinë Speciale të Kosovës.
Olluri gjithashtu tha se marrëveshja që arriti kryeministri Kurti, faktikisht ka ekzistuar në vitin 2016, të cilën e kishte finalizuar Edita Tahiri si pjesë e delegacionit teknik.
“Këtu është arritur një marrëveshje që ka qenë në fuqi prej vitit 2016. Është krijuar një situatë ku ka pasur tone për luftë. Këtë marrëveshje e ka nisur Edita Tahiri pa zhurmë. Të gjithë këtë zhurmë e këto manovra me helikopter të Vuçiqt, marrëveshje të cilën Thaçi e kishte arritur duke ia lënë Edita Tahirit ta finalizojë si pjesë e delegacionit teknik”, është shprehur Olluri.
Tutje, Olluri tha se është skandaloze fakti Igor Simiq ia garantoi lirinë e lëvizjes Njësisë Speciale të Kosovës, përkundër asaj që është Njësia Speciale që garanton lirinë e lëvizjes.
“Çka prodhoi e gjithë kjo situatë? Prodhoi poshtërim të trupave të Njësisë Speciale të Kosovës, sepse janë futur në sandviç nga grupe huliganësh. Ju është dashur ndihma e Igor Simiq. Kur përfundon orari i punës, është bërë ndërrimi i Igor Simiq. Pra, roli Njësisë Speciale është të sigurojë kalimin e lirë të qytetarëve të Kosovës, jo të ndodhë e kundërta. Pra Simiq ka garantuar lëvizjen e lirë të Njësisë Speciale, kjo për mendimin tim është skajshmërish skandaloze”, shtoi Olluri.