
Gazetari, Parim Olluri, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili e kishte cilësuar opozitën si “nomadë”.
Olluri e ka cilësuar këtë shprehje si të pavend dhe ka akuzuar Kurtin se po merret vetëm me interesat e tij personale.
Ai tha se Kurti është i fokusuar vetëm në “matematikat e tij personale” dhe nuk ka lidhje reale me Kosovën.
“Opozita nuk ka obligim me ia votu as kryekuvendarin as kryeministrin. Nomad dihet kush është në politikën kosovare, familja e tij që nuk jetojnë e nuk shkollohen në Kosovë. Pra ky (Kurti), ka banesë në Norvegji, e blerë nga bashkëshortja e tij… Ky nuk ka kurrfarë lidhje me shtetin e Kosovës,” tha Olluri në Pressing përcjell Insajderi.
Ai shtoi se Kurti nuk e di as sa është tatimi për pronën apo sa i del fatura e rrymës për bashkëshorten dhe vajzën në Norvegji, dhe se nuk ka njohuri për problemet e sistemit arsimor në Kosovë, pasi vajza e tij nuk studion në vend.
Kurti i ka quajtur “deputetë nomadikë” deputetët e opozitës, nën pretendimin se nuk po duan që të kenë shtëpi, duke aluduar për Kuvend.
“Në këtë frymë, më lejoni që deputetët opozitarë të cilët nuk po duan që Kosova të ketë Kuvend, që ata të kenë shtëpi, t’i quajë deputetë nomadikë. Sepse nomadët janë ata që nuk duan të kenë shtëpi. Ata të cilët nuk duan shtëpi janë nomad. Ky është thelbi i nomadit”, deklaroi ndër të tjera Kurti.
“Ata që s’po votojnë, është mirë t’i pyesni pse po vijnë? Unë e di pse po shkoj dhe s’kam munguar asnjëherë. Asnjëherë në këta 48-orësha s’kam munguar si kryeministër në detyrë dhe si deputet që ka dhënë betimin. Unë s’po e di pse po vinë. Më lejoni që të theksoj se Kosova ka qeveri, ka kryeministër në detyrë. Ajo çfarë i mungon Kosovës është Kuvendi dhe Kuvendi është shtëpia e deputetëve, deputetët e kanë shtëpinë këtu.
Por, ka disa deputetë të cilët nuk po dëshirojnë të kenë shtëpi. Se ende si ka ardhë radha Qeverisë Kurti 3 që ta thotë fjalën e tyre. Tash për tash, ata janë në fazën që nuk po duan që Republika e Kosovës të ketë Kuvend. Nuk ka Kuvend që i nevojitet ndonjë deputeti si atyre opozitarë. Se deputetët opozitarë, pikërisht e duan Kuvendin. Kuvendi është mjeti më i vlefshëm për ta sesa për deputetët e mazhorancës”. /Insajderi.org/