Departamenti i Hetimeve në Policinë e Kosovës ka vazhduar edhe të premtën me aksione në kuadër të operacionit “Guri”.
Pas tri aksioneve paraprake në mars, prill, dhe maj, sot janë kontrolluar 11 lokacione të reja ku është konfiskuar drogë, para dhe tri vetura me të cilat janë bartur substancat narkotike, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Sot, më 12.05.2023, në vazhdën e zhvillimit të operacionit policor ‘Guri’, i zhvilluar në koordinim me organet e drejtësisë (prokurorinë), janë kontrolluar 11 lokacione, ku si prove materiale janë gjetur dhe konfiskuar rreth 12 kg substancë narkotike (dyshohet të jetëmarihuanë), 3467 euro, 12.700 lekë (paratë dyshohet janë përfituara nga vepra penale) dhe tri vetura me të cilat është bërë bartja e lëndës narkotike”, njofton komunikata.
Njëri nga të dyshuarit, në tentim për të ikur ka kcyer nga një lartësi e shtëpisë dhe ka pësuar lëndime.
“Vlen të ceket se gjatë kontrolleve, në njërin nga lokacionet, një i dyshuar, në tentim për të ikur ka kërcyer nga një lartësi e shtëpisë dhe ka pësuar lëndime. I njëjti është dërguar për tretman mjekësor”, thuhet tutje.
Ndërsa në përgjithësi, nga të gjitha aksionet në këtë operacion, Policia e Kosovës ka konfiskuar rreth 48kg substancë narkotike në vlerë 70 mijë euro si dhe ka arrestuar nëntë të dyshuar.