
Prokuroria Speciale në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë zgjeruar operacionin anti-drogë “SKY ECC”.
Në njoftimin e prokurorisë thuhet se operacioni është realizuar në 25 lokacione të ndryshme dhe janë arrestuar shtatë persona për veprat penale: pjesëmarrja në grupin kriminal të organizuar, blerjen, posedimin, shpërndarjen dhe shitjen e paautorizuar të narkotikëve dhe pastrim të parave, shkruan Insajderi.
“Të pandehurit, dyshohet se kanë përdorur aplikacionin e njohur për komunikim të enkriptuar “SkyECC” për të organizuar aktivitetet e tyre kriminale”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Autoritetet e sigurisë kanë sekuestruar mbi gjysmë kilogrami kokainë, 11 mijë euro para të gatshme, 34 vetura, shtatë armë zjarri dhe dokumente personale me identitet të rremë.
“Operacioni është mbështetur nga një bashkëpunim i ngushtë ndërkombëtar, përmes shkëmbimit të të dhënave me autoritetet belge, franceze, holandeze dhe agjencinë europiane Europol, duke siguruar koordinim të plotë ndërkufitar”, vijon njoftimi. /Insajderi.org/