Operacioni “Qielli i Thyer”- Si tregtonte drogë në Turqi pejani që u kap sot nga anti-droga? Insajderi ju sjell detaje ekskluzive nga dosja - Insajderi
×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Analiza

    Operacioni “Qielli i Thyer”- Si tregtonte drogë në Turqi pejani që u kap sot nga anti-droga? Insajderi ju sjell detaje ekskluzive nga dosja

    Insajderi
    03 June 2025 - 17:53
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Andi Vokshi është në mesin e 22 personave që janë kapur në një operacion të madh anti-drogë të quajtur “Qielli i Thyer”.  Vokshi ishte i përfshirë edhe më herët në një rast të dyshuar të shitblerjes së drogës, veprim ky që ishte kryer në Turqi. Ai kapej më pas në Kosovë, por që ekstradimi i tij atje bëhet i pamundur.

    Një operacion i anti-drogës rezultoi në kapjen e biznesmenëve e disa të dyshuarve për tregtimin e drogës, të cilët vepronin si grup i krimit të organizuar. Veprat penale dyshohet se i kryenin përmes aplikacionit “SkyECC”, raporton Insajderi.

    Nga emrat e të arrestuarve është edhe Andi Vokshi. I njëjti ishte arrestuar më 2023-ën në Kosovë, meqë ishte në kërkim ndërkombëtar. Vokshi kërkohej nga Turqia, meqë dyshohet se kishte tregtuar drogë atje.

    Në Pejë u arrestuan Petrit Nikçi Safet Lajqi dhe Eugen Vokshi, vëllai i Andi Vokshit.

    Gazeta Insajderi ka arritur të sigurojë një dosje të mëhershme të Andi Vokshit, që tregon se si ky i fundit ishte i përfshirë në një grup që tregtonte drogë edhe në Turqi.

    Në dosje thuhet se Vokshi bashkë me disa shqiptarë dhe turq të tjerë të dyshuar vepronin si grup i organizuar për tregtim të substancës së llojit narkotik heroinë.

    Më 25 shkurt të 2022-ës, një kamion me targa maqedonase ishte ndalur nga Zona Doganore e Ipsalës së Turqisë ishte ndaluar për kontroll. Përgjatë kontrollit, autoritetet turke përmes detektorëve dhe qenve të antidrogës kishin gjetur brenda disa kutive me shkrimin “Forlife Projektor” heroinë në sasi prej 108 kilogramë e 356 gramë.

    Në pamjet e marra nga një pallat të datës 20 shkurt 2022, Andi Vokshi dhe Eugen Nallbani shiheshin duke bartur kutitë e kartonit të mbështjella me shirit ngjitës transparent, në të cilat dyshohet të ketë pasur lëndë narkotike.

    Tek një vit më vonë, Andi Vokshi bie në prangat e Policisë së Kosovës. Njësia ILECU-FAST Kosova e kishte kapur atë.

    Personi i kërkuar, i cili kërkohej nga INTERPOL-i në llogari të organeve shtetërore turke, dyshohet se është i përfshirë në trafikim ndërkombëtar me lëndë narkotike”, thuhej në njoftimin e Policisë së Kosovës më 2023-ën.

    Ndaj tij Turqia përpilon kërkesë për ekstradim, si i dyshuar për veprën penale “Prodhimi ose tregtimi i narkotikëve ose substancave psikotrope”, të dënueshme deri në 90 vite me kodin penal turk.

    Prokuroria Themelore në Pejë kishte parashtruar kërkesë për ekstradimin e të dyshuarit për në Turqi, mirëpo Gjykata e Pejës kishte vendosur kundër vendimit, mbi bazën e asaj se Kosova s’kishte marrëveshje me Turqinë për ekstradimin e kosovarëve atje.

    Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë lëshuar një komunikatë për operacionin “Qielli i thyer”, gjatë të cilit janë arrestuar 22 persona.

    Aksioni është zhvilluar në rajonin e Prishtinës, Prizrenit, Pejës dhe Gjilanit. Në aksion kanë marrë pjesë rreth 600 zyrtarë të Policisë së Kosovës, të cilët në mënyrë të koordinuar kanë asistuar në bastisjen e 47 lokacioneve, dhe arrestimin e personave të dyshuar.

    Gjatë realizimit të urdhër kontrollit në këto lokacione është gjetur dhe sekuestruar sasi e konsiderueshme e provave materiale, dhe pasurive të specifikuara duke përfshirë: lëndë narkotike, 129 vetura, 134 e 900 mijë para të gatshme, 20 mijë e 40 franga zvicerane, 490 dollarë, 13 mijë euro para të falsifikuara, 9 orë dore të markave të njohura, 36 armë të llojeve të ndryshme, 1569 fishekë të ndryshëm, 1292 copë municione të ndryshme, një prese për paketimin e heroinës dhe kokainës, laptopë, telefona, usb dhe dokumente të ndryshme.

    Po ashtu janë ngrirë mjete në llogari bankare në vlerë prej 400 mijë euro, dhe janë vënë nën urdhër ndalues të gjitha paluajtshmëritë e të pandehurve në këtë rast.

    Gazeta Insajderi raportoi se në pranga kanë rënë edhe Lorik Tigani dhe Onur Vizdik, dy pronarë të firmës “Tada Group Sh.P.K”.

    /Insajderi.org


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark