Plazhet e Ksamilit në Jug të Shqipërisë, janë mbipopulluar nga pushues vendas e të huaj.
Mirëpo operatorët turistikë, kanë ngritur shqetësim për mungesën e kontrolleve për ushqimin që serviret kryesisht nga ambulantët, nga konsumimi i të cilëve thonë se janë helmuar edhe pushues. Derisa një problem tjetër për bizneset janë dhe motorët e ujit që lundrojnë me shpejtësi në zonat ku lahen pushuesit.
Pak ditë pasi ka filluar sezonit turistik 2016 në Ksamil, janë evidentuar disa probleme që dëmtojnë mbarëvajtjen e sezonit.
Sipas përfaqësuesve të biznesit turistik mjetet motorike të ujit lundrojnë me shpejtësi të madhe shumë pranë plazhit janë duke e rrezikuar jetën e pushuesve, fenomen që përsëritet çdo verë.
Pronarët e lokaleve që menaxhojnë edhe plazhet ngrenë dhe shqetësimin për shitësit ambulantë që tregtojnë prodhime brumi apo fast food të pakontrolluara, nga konsumi i të cilave thonë se janë helmuar edhe pushues.
“Shitësit ambulantë që tregtojnë mallra pa asnjë lloj garancie, që mund të helmohen të gjithë këta. Por i shqetësojnë gjatë gjithë kohës që ata qëndrojnë në shazllone, nga momenti që vinë deri sa ikin. Sasia në numër e tyre është më e madhe sesa e turistëve që janë në shazllone. Edhe xhetskitë janë një problem vërtet serioz, futen me shpejtësi dhe shqetësojnë të gjithë ata që janë në det dhe ka rrezik që mund të marrin dhe jetë njerëzore. Nuk duam të ndodhë kjo”, thonë operatorët turistikë për “Ora News”.
“Një bashkëpunim më i madh me organet e rendit për çështjen e mjeteve motorike do ta disiplinonte më shumë dhe me mirë këtë problem që shpesh bëhet gangrenë dhe shqetësues për pushuesit”.
Ndërkohë Ksamili këtë verë ka furnizim 24 orë me ujë dhe përmirësim të rrjetit të energjisë elektrike.