Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, kishte paralajmëruar se pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do ta ftojë opozitën në takim për t’i diskutuar dallimet që kanë për marrëveshjen e demarkacionit.
Këtë takim Mustafa e kishte paralajmëruar për në fillim të tetorit.
U kthye nga Amerika, tash kur po hyjmë në pjesën e fundit të muajit tetor, ende nuk ka asnjë datë për një takim të tillë.
Edhe pse kryeministri Mustafa disa herë e kishte thënë publikisht përmes medieve dhe llogarisë së tij në facebook se është i gatshëm të flasë me opozitën, ende nuk u ka dërguar ftesa zyrtare.
“Qeveria vazhdon të jetë bashkëpunuese, jo përjashtuese dhe korrekte si në qasje ashtu edhe në ofertën publike dhe zyrtare për të biseduar”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë, Faton Abdullahu.
Zyrtar nga Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë për Insajderin se asnjë ftesë zyrtare nuk e kanë pranuar nga Qeveria për një takim pozitë-opozitë.
As Nismës për Kosovën nuk i ka shkuar një ftesë e tillë. Zyrtar të saj kanë thënë se nuk janë ftuar zyrtarisht nga koalicioni për takim. Ftesën publike ata e cilësojnë joserioze. Megjithatë thonë se nëse e pranojnë një ftesë të tillë, ata do ta shqyrtojnë atë në organet e partisë.
Muharrem Nitaj nga AAK-ja, i ka thënë Insajderit se “ftesa për një takim duhet të jetë zyrtare, të ketë agjendë, të ketë përmbajtjen e takimit, dhe duhet të sqarohet se cili është qëllimi i një takimi të tillë”.
“AAK nuk e ka marrë një ftesë të tillë. Ftesa publike është hajgare e tipit “m’ka qu baba me e la gojën!”, ka thënë Nitaj.
Megjithatë, Qeveria thotë se e ka vullnetin ta riprocedojë demarkacionin në Kuvend.
“Palët e koalicionit e kanë vullnetin e pahezitueshëm për ta riproceduar demarkacionin. Pa e specifikuar me datë, ne jemi duke bërë përgatitje që këtë çështje ta riprocedojmë dhe pengesat e ndryshme t’i tejkalojmë me dialog konstruktiv”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë, Faton Abdullahu.
Kjo sipas tij, është në të mirën e gjithanshme e sidomos të proceseve shtetndërtuese dhe atyre të ndërlidhura me cilësinë e jetës së qytetarëve që çështja e demarkacionit të mos prolongohet./Insajderi.com