
Vendimi i Presidentes në largim të Kosovës, Atifete Jahjaga, për themelimin e komisionit ad-hoc të përbërë nga 3 ekspertë ndërkombëtar për vlerësimin e Demarkacionit me Malin e Zi, ka ngjallur reagim tek tre partitë opozitare, VV, AAK dhe Nisma, të cilat kërkojnë komision të përzier.
Tre partitë opozitare thonë që çdo komision vlerësimi që e përcakton kufirit sipas kadastrit, do të dalë në kundërshtim me kërkesat e tyre dhe të qytetarëve, të cilët kanë firmosur peticionin kundër Demarkacionit të mëparshëm.
“Çdo komision vlerësimi që fillon punën sipas materialeve e metodës së njëjtë, pra përcaktimin e vijës kufitare sipas kadastrit, do të vijë në përfundim të ngjashëm me atë të komisionit qeveritar. E ai përfundim, i njëjti me atë të Qeverisë aktuale, është i pasaktë dhe i padrejtë, dhe për ne i papranueshëm, ngase mund të tentojë ta legjitimojë komisionin e kaluar”, thuhet në kumtesën e opozitës së bashkuar.
Kumtesa vazhdon me konstatimin se profesionistët e gjeodezisë, topografisë, gjeografisë dhe historisë e njohin me detaje çdo hartë dhe historik të kufijve të Kosovës dhe kronologjinë e vendosjes së tyre dhe ata duhet të marrin vendime. /Insajderi.com