Deputetët e partive opozitare, anëtarë të Komisionit për Punë të Jashtme, gjatë mbledhjes që po mbahet për shqyrtimin projektligjin për Demarkacionin me Malin e Zi, po kërkojnë që ai të kthehet në Qeveri. Derisa anëtarë nga partitë në pushtet kërkojnë që ajo të procedohet për ratifikim.
Puhie Demaku deputetja e Vetëvendosjes, duke e përmendur edhe peticionin me 200 mijë nënshkrime, kundër demarkacionit me Malin e Zi, kërkoi që projektligji të mos shkoj në Kuvend.
‘Ky Projektligj duhet të hidhet poshtë dhe të kthehet në Qeveri’, deklaroi Demaku.
Deputeti Pal Lekaj tha se është kontrabanduar ky Projektligj.
“Pas ratifikimit të Marrëveshjes nuk do të mund të bëhet asgjë për kthimin e saj prapa. Shpresoj që deputetët t’i thonë një “Jo” të madhe kësaj marrëveshjeje”, tha Lekaj.
Derisa Zafir Berisha anëtar i këtij komisioni, tha se dy partitë që po bojkotojnë seancat e kuvendit Nisma për Kosovën dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, do të kthehen atëherë kur e shohin se ka nevojë Kosova.
“Diçka që është fituar në luftë, po humbet në paqe” ka thënë ai.
Nga ana tjetër Ismet Beqiri deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka kërkuar që Projektligji për demarkacionin me Malin e Zi, të procedohet për ratifikim.
“Duhet të dërgohet për votim në Kuvend sepse kështu do të bëhej ligjore kjo çështje”, ka thënë Beqiri.
Kryetari i këtij komisioni Elmi Reçica tha se kjo marrëveshje përveç ndarjes së vijës kufitare do t`i fuqizojë edhe më shumë marrëdhëniet me Malin e Zi.
“Pala malazeze i ka kryer të gjitha procedurat duke e ratifikuar marrëveshjen ndërsa ne ende e kemi në komision për ta dërguar pastaj në Kuvend”, tha Reçica. /Insajderi.com