
Me një minutë heshtje për vdekjen e senatorit Bob Dole ka vazhduar punimet Kuvendi i Kosovës, me pikat e papërfunduara nga pesë seanca që nga korriku.
Derisa shumica e deputetëve u ngritën në këmbë në nderim të senatorit Dole, një gjë të tillë nuk e kanë bërë edhe deputetët e Listës Serbe.
Gjatë seancës opozita ka akuzuar pushtetin se po prish proceset e votimit, duke e përmendur rastin e dështimit të zgjedhjes së anëtarëve të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, si dhe moszgjedhjen e një anëtari joekzekutiv të Bordit të BQK-së.
“Mendoj që është një barrë e rëndë për Kuvendin edhe po lë shije të keqe në atë që është proklamuar si çkapje nga institucionet e shtetit”, ka thënë Armend Zemaj, deputet i LDK-së.
Kjo akuzë e Zemajt erdhi pas dyshimeve që ngriti deputeti i PDK-së, Ferat Shala, lidhur me procesin e anëtarëve të Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.
Ai akuzoi kryeministrin Albin Kurti, për ndërhyrje në këtë proces.
“Në këtë proces të gjatë me shumë shkelje kemi ndërhyrjen e kryeministrit. Kryeministri i fton anëtarët në bisedë të caktuar në zyrën e tij, dhe në zyrën e zëvendësministrit të Financave, kjo është ndërhyrje ligjore”, ka thënë deputeti i PDK-së, Ferat Shala.
Akuza kundër pushtetit pati edhe Besnik Tahiri, shef i Grupit parlamentar të AAK-së.
“Nëse e bëjmë vështrimin e ditës së sotme dhe në qoftë se e trajtojmë edhe emërimin e BQK-së, edhe të OSHP-së, këtu është vetëm një emër dhe një mbiemër, tendencë klasike e kapjes së institucioneve me një shumicë parlamentare”, tha ai.