×
  • Lajme
  • Lajme

    Opozita në Gjilan denoncon publikisht: Anarki me ndërtime pa leje, pushtetit të VV-së i dërguam edhe fotografi

    Insajderi
    19 November 2024 - 12:25
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryetari i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Gjilan, Riad Rashiti, ka reaguar me shqetësim lidhur me situatën e ndërtimeve pa leje dhe tejkalimeve të lejeve ndërtimore në qytet, shkruan Insajderi.

    Ai tha se PDK ka ngritur prej kohësh shqetësimin për kaosin që ekziston brenda Drejtorisë së Inspeksionit të Komunës së Gjilanit, por se për ndërtimet e larta është besuar se po punohet sipas standardeve dhe lejeve ndërtimore.

    Sipas Rashitit, reagimet e vazhdueshme nga qytetarët e Gjilanit, të cilët po dërgojnë edhe foto konkrete, kanë ngritur dyshime serioze mbi ndërtimet pa leje dhe tejkalimet që po ndodhin, veçanërisht në zonat ku po zhvillohen ndërtimet e larta.

    Ai ka përmendur rastin konkret të ndërtimit që po zhvillohet në “Fidanishte” përgjatë rrugës qarkore, ku dyshohet se ka mbindërtim pa leje në katin e fundit.

    “PDK-Dega në Gjilan kërkon që Inspeksioni të verifikojë këtë rast dhe të veprojë në përputhje me ligjin, sepse është e papranueshme që ky lloj kaosi të ndodhë pa mbikëqyrjen e duhur. Shpresojmë që dyshimet për ndërtimin pa leje të mos jenë të vërteta, por nëse ato konfirmohen, atëherë dorëheqja e kryetarit të komunës do të ishte akti më i pakët që ai mund të bënte, pasi nuk mund të besohet që Drejtoria e Inspeksionit do të kishte guximin të mbyllte sytë në raste të tilla, pa koordinim me të,” ka thënë Rashiti.

    Ai ka shtuar se PDK në Gjilan do të vazhdojë të monitorojë të gjitha rastet e ndërtimit, duke kërkuar që të gjitha lejet e ndërtimit të jenë të pajtueshme me ligjin dhe planet rregulluese, si dhe të hetohen çdo rast i ndërtimit pa leje dhe tejkalimet e mundshme.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark