Në kohën kur institucionet e Kosovës paralajmëronin ndryshim të formatit të dialogut me Serbinë, autoritetet komunale në veri që qeveriset nga serbët, ndërtuan një muri matanë lumit Ibër, në pjesën veriore që administrohet nga kjo komunë.
Ky akt ngjalli menjëherë reagimin e institucioneve qeveritare të Republikës së Kosovës. Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, pati thënë se muri nuk është pjesë e marrëveshjes në Bruksel.
Reagoi kreu i Parlamentit, Kadri Veseli, kryeministri Isa Mustafa, të cilët janë në bashkëqeverisje.
Por, kjo nuk i shpëtoi as reagimit të partive opozitare, të cilat akuzonin Qeverisë për ndarjen e qytetit të Mitrovicës.
Grupi Parlamentar i AAK-së, mblodhi nënshkrimet e nevojshme të deputetëve për ta ftuar një seancë të jashtëzakonshme, ku u diskutua pikërisht për ndërtimin ilegal të këtij muri në veri.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, propozoi një rezolutë rreth kësaj çështjeje. Megjithatë, rezoluta ishte harmonizuar edhe me grupet tjera parlamentare, e cila kishte pësuar ndryshim nga rezoluta fillestare.
Nga kjo rezolutë janë tërhequr dy pika, që kanë të bëjnë me shkarkimin e ministres për Dialog, Edita Tahiri, dhe ndërprerja e bisedimeve me Serbinë.
“Duke e parë që partitë në pushtet nuk po pajtohen rreth këtyre pikave, kurse fokusi jonë është të muri, pas një takimi që pata me përfaqësuesit e PDK-së, Zenun Pajaziti, Sami Morina nga LDK-ja, Glauk Konjufca nga Vetëvendosje dhe Valdete Bajrami nga Nisma për Kosovën, ne e kemi nxjerrë këtë rezolutë”, kishte thënë Lekaj para deputetëve.
Aty kërkohej që muri të rrënohet në muajin janar të vitit të ardhshëm; Qeveria të angazhohet që të ndërmarrë masa ndaj ndërtimeve pa leje në veri, dhe murin ta trajtojë si të tillë; Qeveria të marrë masa që të mos ndryshohet ura e Ibrit dhe t’i përmbajë elementet e që i kishte në vitin 1999 dhe te mos ndryshohen ato; të kthehen sa më parë qytetarët në pronat në veri.
Opozita nuk beson në fuqinë e Qeverisë për ta rrënuar murin
Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë se ka pak shpresa që kjo qeveri t’i përmbahet zotimeve të veta për rrëzimin e murit. Sipas saj, kjo për faktin se kjo qeveri është e paguximshme dhe pa vullnet.
“Po të kishim një qeveri e cila përfaqëson dhe mbron Republikën, nuk do të pritej rezoluta e Kuvendit për të ndërmarrë veprime për heqjen e atij muri. Duke e njohur këtë qeveri të paguximshme dhe pa vullnet, ne kemi shumë pak shpresa që e njëjta rezolutë do të zbatohet”, ka për Insajderin deputetja Haxhiu.
Në anën tjetër, edhe deputeti i Nismës për Kosovën, Zafir Berisha, shprehet skeptik për rrëzimin e këtij muri. Ai fajëson Qeverinë e Kosovës se është pjesë e projektit për ndarjen e Kosovës.
“Nuk besoj (në rrënimin e murit), sepse kjo qeveri, nuk është qeveri që zbaton ligje dhe kushtetutën e vendit. Në anën tjetër, deklaratat e tyre qysh në momentin e ndërtimit të murit se me fuqinë e ligjit brenda javës do të rrënohet, nuk do të rrënohet me anë të një rezolute brenda janarit. Por kjo është skeptike edhe te disa zyrtarë të partisë në pushtet. Unë kam pak besim se kjo qeveri do të ketë forcë ta rrënojë atë mur”, ka thënë Berisha për Gazetën Insajderi.
“Qeveri e Kosovës është pjesë e projektit djallëzor për ndarjen e Kosovës, ndërtimi i murit është element i krijimit të ndërtimit të një Krimeje të Ukrainës në Kosovë”, ka shtuar ai.
Ahmet Isufi nga kryesia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se ky është plan i Beogradit që përdorë strukturat paralele për të detyruar Qeverinë e Kosovës për të shkuar në bisedime të tjera dhe që dëmtojnë interesat e Kosovës.
“Qeveria është e obliguar ta respektojë rezolutën e nxjerrë dhe kjo nuk u përngjan rezolutave të tjera. Në rast se nuk rrëzohet, do të komplikohet situata dhe se përgjegjësia është tek qeveria e Kosovës”, ka thënë Isufi.
“Serbia gjithmonë ka përdorur një pretekst dhe një veprim përmes pakicës serbe në veri të Kosovës duke i keqpërdorur strukturat paralele për të detyruar Qeverinë e Kosovës për të shkuar në bisedime, e t’i harrojmë temat e tjera të cilat janë të dobishme për Kosovën, por të nxirren tema të tjera që e dëmtojnë interesin e Kosovës”, ka shtuar Isufi për Insajderi.
Krerët më të lartë të partive në pushtet, të cilët janë edhe bartësit më të lartë shtetërorë, kanë dhënë zotimin se muri do të rrënohet gjatë muajit janar.
“Muri do të rrënohet me forcën e ligjit”, pati thënë kryeministri Isa Mustafa.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, njëherësh kryetar i PDK-së, ka thënë se muri në veri i ngjan një kompleksi rus.
“Është një kompleks më tepër rus, i cili po tenton të shpërfaqet në mënyrë shumë negative në Kosovë. Por nuk do të ketë sukses”, kishte thënë Veseli gjatë një konference për media.
Ai ka thënë se mure të tilla nuk do të ketë as në veri dhe as nëpër Kosovë.
“Muri në Mitrovicë nuk do të ekzistojë asnjëherë. Për këtë të jenë të sigurt të gjithë qytetarët e Kosovës, e veçanërisht banorët e Mitrovicës”, kishte premtuar Veseli.
“Ai është qytet që ka qenë një dhe ashtu do të ekzistojë gjithmonë”, kishte deklaruar ai.
Veseli ka thënë se “çdo tentativë për të ndërtuar mure në shekullin 21 është kundër vlerave evropiane”./Insajderi.com
[arve url=”https://www.youtube.com/watch?v=WyQ7LzNR_q0″/]