Opozita kryesore turke e ka dërguar në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut çështjen e referendumit të mbajtur në muajin prill, që i zgjeron presidentit Rexhep Tajip Erdogan pushtetin politik.
Partia Popullore Republikane jo fetare, e paraqiti ankimimin të martën, ndërsa kreu i saj Kemal Kiliçdaroglu udhëhoqi protesta në të gjithë vendin, prej Ankarasë në Stamboll.
Referendumi, të cilin presidenti Erdogan e fitoi me 51.4 për qind të votave, lejon ndryshimin e sistemit qeverisës të Turqisë, nga një republikë parlamentare në një sistem presidencial, duke hequr funksionin e kryeministrit në një kohë që zgjerohet pushteti i presidentit.
Partia kryesore e opozitës e kundërshoi rezultatin dhe përmendi parregullsitë, duke përfshirë edhe vendimin e Bordit Zgjedhor të Turqisë, për të pranuar fletëvotime të pavulosura. Ankimimi i paraqitur në Strasburg, pason ankimime të shumta në Gjykatën e Lartë të Turqisë.
“Vendimi i Bordit Zgjedhor e bëri referendumin të paligjshëm ndaj po ankohemi në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut”, u tha zoti Kilicdaroglu gazetarëve në qytetin e Izmit, rreth 100 kilometra në lindje të Stambollit qendror.
Kemal Kilicdaroglu dhe mbështetësit e tij filluan në 15 qershor atë që njihet si “Marshimi për Drejtësi”, që pasoi dënimin e një anëtari të partisë së tij Enis Berberoglu, me 25 vjet burg nën akuzën për spiunazh.
Enis Berberoglu ishte ligjvënësi i parë i Partisë Popullore Republikane që u burgos nga qeveria, si pjesë e masave ndaj grushtit të dështuar të shtetit në korrik 2016.
Marshimi pritet të përfundojë të premten në burgun e Stambollit aty ku ligjvënësi po vuan dënimin.