Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka reaguar ndaj siç thonë, përfshirjes së një neni në draftin e Projektligjit për Arsimin e Lartë, “në fshehtësi të plotë, pa kryer asnjë konsultim me shoqërinë civile”.
ORCA thotë se neni në fjalë trajton avancimet akademike por e konsideron këtë shtesë si problematike meqë “i hap rrugën lëshimeve të mëdha në avancimet e stafit akademik në universitetet e Kosovës, duke sabotuar edhe më shumë meritokracinë akademike dhe performancën tërësore të arsimit të lartë”.
Kjo organizata ka thënë se derisa legjislacioni aktual parashikon që profesorët duhet të kenë një numër specifik të punimeve shkencore sipas titujve përkatës, të publikuara [vetëm] në revista shkencore ndërkombëtare, projektligji i rishikuar parashikon edhe publikim në revista joshkencore: “ose në revistat që trajtojnë tema ekonomike, shoqërore dhe kulturore me interes për Kosovën”.
“Ky ndryshim është në përplasje të hapur me praktikat më të mira ndërkombëtare dhe vendore për avancimet akademike, dhe lejon që profesorët të avancohen me botime të cilat, më së paku, nuk përfshijnë redaktimin e nevojshëm akademik dhe proces të ‘peer revieë’”, thuhet në reagimin e organizatës.
“Kjo shtesë në projektligj, gjithashtu, parasheh disa mekanizma të paqarta sigurie për këto botime alternative, të cilat “prej ekspertëve të fushës konsiderohen si të krahasueshme për nga cilësia”, dhe që lista e këtyre botimeve duhet të hartohet dhe miratohet nga organe të posaçme të universiteteve”, thuhet tutje në reagim./Insajderi.com