Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës është duke mbajtur konferencë të jashtëzakonshme për media, ku është folur për çështjen e kompensimit të orëve të humbura gjatë kohës sa mësimdhënësit ishin në grevë.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, tha se këtë të shtunë nuk do të mbahet mësim.
Ai tha se Nagvci ka marrë vendim të njëanshëm, derisa shtoi se orët e humbura kompensohen vetëm me marrëveshje të veçantë.
“Lidhur me kompensimin e orëve të humbura në grevë duhet të theksoj se ishte vendim i ngutshëm i ministres Nagavci, e cila nuk respektoi kontratën kolektive të arsimit që është nënshkruar nga MASHTI dhe SBASHK-u më 22 janar 2021. Neni 34, pika 8 e thotë qartazi, orët e humbura gjatë grevës nuk zëvendësohen veç nëse palët nënshkruese arrijnë marrëveshje të veçantë. Nagavci solli vendim të njëanshëm, SBASHK-u është i oblioguar ta respektojë kontratën kolektive dhe e themi publikisht këtë të shtunë nuk do të ketë mësim në emër të kompensimit të orëve të humbura në grevë“, tha Jasharaj.
Jasharaj tha se presin nga MASHTI që t’i ftojë në takim.