×
  • Lajme
  • Lajme

    Organizatat e të drejtave të njeriut kritikojnë SPAK për urdhrin e sekuestrim ndaj Lapsi.al

    Insajderi
    21 April 2021 - 15:37
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Pesëmbëdhjetë organizata të mbrojtjes së të drejtave të njeriut kritikuan ashpër vendimin e SPAK për të sekuestruar pajisjet elektronike të publikimit online Lapsi.al duke e konsideruar atë një vendim që frikëson çdo person që është në gjendje të denoncojë te një gazetar abuzime të mundshme me pushtetin.

    Organizatat shqiptare të të drejtave të njeriut e cilësuan vendimin e gjyqtares Iliriana Olldashi si cënues të rëndë të lirive themelore kushtetuese dhe si një mjet që rrezikon të frikësojë çdo qytetar që shërben si burim informacioni për median dhe që mund të denoncojë abuzime me pushtetin.

    “Organizatat tona konsiderojnë që ky veprim cënon drejtpërdrejtë lirinë e medias dhe i kërkon Prokurorisë që Kodin e Procedurës Penale ta zbatojë në frymën e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut,” shkruhet në deklaratë.

    “…Detyra e prokurorisë është të ndjekë burimin e problemeve të investiguara, jo gazetarët që e investigojnë dhe burimet e tyre konfidenciale,” shkruhet më tej në deklaratë.

    Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit nisi një hetim në lidhje me skandalin e një databaze me të dhëna konfidenciale të votuesve të Tiranës, që aludohet se është krijuar nga Partia Socialiste, në të cilën çdo votues gjurmohet nga një militant partiak i njohur si patronazhist.

    Qytetarët janë zemëruar nga ajo që ngjan një rrjet i madh partiakësh, kryesisht punonjës të administratës publike, të cilët dukshëm kanë akses në të dhëna personale që qytetarët i dorëzojnë në institucione të ndryshme publike. Lajmi për ekzistencën e databazës u publikua nga Lapsi.al ndërsa databaza rrodhi në mënyrë të panjohur në internet aq sa u bë një sekret që e dinë të gjithë.

    Prokuroria i kërkoi Lapsi.al të dorëzojë databazën, por Lapsi refuzoi pasi argumentoi se një veprim i tillë rrezikon të zbulojë burimin që i dorëzoi këtë databazë gazetarëve. Prokuroria i kërkoi gjykatës një urdhër sekuestroje për kompjuterët, serverët, celularët dhe mjetet e tjera elektronike të redaksisë dhe gazetarëve të Lapsi me supozimin se në to do të gjejë provat për databazën.

    Por ekspertë dhe organizatat e të drejtave të njeriut vërejnë se urdhri i sekuestros bie ndesh me parimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, e cila sanksionon që prokuroria duhet të mos cënojë burimet e gazetarëve dhe se gjykata mund të urdhërojë zbulimin e një krimi vetëm pasi prokuroria të ketë ezauruar mjetet e tjera në dispozicion të saj për hetimin e ngjarjes.

    “Standartet etike të gazetarisë përcaktojnë se një gazetar ka të drejtë dhe detyrë të mbrojë burimin e vet, të mos e vërë në rrezik dhe të mos e dekonspirojë atë,” thuhet në deklaratën e organizatave.

    “Investigimet bëhen për të ekspozuar problematika të ndryshme dhe detyra e prokurorisë është të ndjekë burimin e problemeve të investiguara, jo gazetarët që e investigojnë dhe bsurimet e tyre konfidenciale,” shtojnë ato.

    Deklarata është firmosur nga këto organizata:

    Association of European Journalists / Dega Shqipëri

    AIS/Open Data Albania

    Association of Professional Journalists of Albania

    BIRN Albania

    Citizens Channel

    Civil Rights Defenders

    Faktoje.al

    Grupi Shqiptar për të Drejtat e Njeriut

    Instituti Shqiptar i Medias

    Këshilli Shqiptar i Medias

    Komiteti Shqiptar i Helsinkit

    Media Look

    Qendra Politico

    Qendra Res publica

    Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark