Shtatë organizata ndërkombëtare për lirinë e mediave dhe grupet e gazetarëve kanë bërë thirrje që certifikata e përditësuar e biznesit të Klan Kosovës të pranohet nga komisioni i ankesave dhe të ndërpriten menjëherë të gjitha përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për t’i bërë presion medias.
“Ndonëse ne e njohim kërkesën që autoritetet e Kosovës të zbatojnë detyrimet ligjore në lidhje me regjistrimin e biznesit, kjo nuk mund të përdoret për të justifikuar mbylljen e një prej transmetuesve më të mëdhenj kombëtar privat në vend – një hap jashtëzakonisht serioz që duhet të ndërmerret vetëm në rrethana të jashtëzakonshme dhe në përputhje të plotë me shtetin e së drejtës”, thuhet në reagimin e organizatave për lirinë e mediave si: Article 19, Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF), Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ), Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ), OBC Transeuropa (OBCT), Reporterët pa Kufij dhe Rrjeti i SafeJournalists.
“Prandaj, organizatat tona mirëpresin hapin e ndërmarrë më 16 qershor nga ana e rregullatorit të medias në vend, Komisionit të Pavarur për Media (KPM), për shtyrjen e çdo vendimi për licencën e transmetimit të Klan Kosovës për një muaj për të lënë kohë për gjetjen e një zgjidhjeje të arsyeshme. Që atëherë, së bashku me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK) vërejmë se Klan Kosova ka mbledhur dokumentacionin e nevojshëm dhe ka dërguar një certifikatë të përditësuar të biznesit të lëshuar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës”, thuhet me tej në reagim.
Mes tjerash, në thirrje përmendet edhe apeli i vendimit të pezullimit të certifikatës pranë Komisionit të Ministrisë për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve më 29 qershor.
“Ky komision, përbërja e të cilit do të vendoset nga vetë Ministria, ka afat deri më 14 korrik 2023 për të marrë vendim për ankesën”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Përpara këtij procesi, i bëjmë thirrje Ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, të sigurojë që komisioni i ri të përbëhet nga individë të pavarur, me përvojë dhe profesionistë dhe të merret një vendim në kohë dhe plotësisht transparente. Shpresojmë që Komisioni i Ministrisë të pranojë ankesën e Klan Kosovës dhe të shfuqizojë menjëherë pezullimin e certifikatës së biznesit. Një gjë e tillë do të ofronte garanci për të ardhmen e operimit të Klan Kosovës brenda vendit dhe do të siguronte që progresi pozitiv i bërë në zhvillimin e lirisë së mediave në Kosovë gjatë viteve të fundit të mos dëmtohet seriozisht”.
Organizatat kërkojnë nga përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare në Kosovë që kjo çështje të trajtohet me respekt maksimal për angazhimet ndërkombëtare për lirinë e medias.
“ Duke ecur përpara, ne i bëjmë jehonë thirrjeve të bëra nga përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare në Kosovë që kjo çështje të trajtohet me respekt maksimal për angazhimet ndërkombëtare për lirinë e medias dhe në përputhje të plotë me procesin e duhur dhe sundimin e ligjit. Organizatat tona do të vazhdojnë ta ndjekin këtë çështje nga afër si dhe do t’i përgjigjen të gjitha zhvillimeve të mëtejshme”, përfundon reagimi.