OSBE: Ende ka shumë mangësi në sistemin e drejtësisë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    OSBE: Ende ka shumë mangësi në sistemin e drejtësisë

    Insajderi
    28 December 2016 - 12:13
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Misioni i OSBE-së në Kosovë gjatë monitorimit të sistemit të drejtësisë në Kosovë, ka gjetur se akoma mbesin mangësi në shumicën e fushave të monitoruara, përfshirë këtu ato që kanë të bëjnë me të drejtën për gjykim brenda kohës së arsyeshme, qasjen në drejtësi, aktvendimet e arsyetuara mirë dhe garancitë në fazën e shqyrtimit të provave për të pandehurit dhe dëshmitarët.

    Por, ka pasur edhe përmirësim në disa fusha të monitoruara. Numri i seancave joproduktive ka shënuar rënie në 22% – krahasuar me periudhën e fundit raportuese nga dhjetori i vitit 2015.

    Përveç kësaj, monitorimi ka treguar që ka pasur baza të qarta për ankesa bazuar në të drejtat dhe liritë themelore në 15% të lëndëve të monitoruara, që paraqet përmirësim nga periudha e fundit raportuese ku numri i ankesave ishte 18%.

    Megjithatë, pak më shumë se gjysma e seancave për shqyrtimin e provave vazhdojnë të mos regjistrohen sipas kritereve që kërkohen me ligj.

    Këto të gjetura kanë dalë nga publikimi i raportit të OSBE-së që paraqet treguesit cilësorë të performancës për gjykatat e shkallës së parë në Kosovë.

    Edicioni i tretë e mbulon periudhën 1 janar deri më 30 nëntor 2016 dhe ofron të dhëna në lidhje me punën e gjyqtarëve në departamentin e krimeve të rënda, departamentin e përgjithshëm, departamentin për çështje administrative dhe departamentin për të mitur, në bazë të monitorimit të 2,191 seancave dëgjimore në 1,257 raste në të gjitha këto departamente.

    Monitoruesi i Drejtësisë bën vlerësimin e respektimit të standardeve për proces të drejtë nga ana e gjykatave, përfshirë këtu të drejtën për qasje në drejtësi dhe gjykim brenda kohës së duhur,  mbrojtjen e palëve dhe dëshmitarëve të cilët ofrojnë dëshminë e tyre, dhe arsyetimin e mirë të aktvendimeve.

    Efikasiteti i gjykatave ka mbetur i njëjtë si në periudhën e mëparshme raportuese, dhe është shënuar në përafërsisht 105 %, ku për çdo 100 raste të reja të parashtruara, përfundohen 105, që nënkupton që gjyqtarët, jo vetëm që i përfundojnë rastet e reja, por edhe një numër të lëndëve të vjetra të pazgjidhura./Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark