OSHP përjashton “Archi Time” nga tenderët për 1 vit – kompania edhe më herët nën hetime për manipulime - Insajderi
×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Analiza

    OSHP përjashton “Archi Time” nga tenderët për 1 vit – kompania edhe më herët nën hetime për manipulime

    Insajderi
    18 August 2025 - 15:12
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Organi Shqyrtues i Prokurimit ka vendosur të diskualifikojë kompaninë “OE Archi Time Sh.p.k” për një periudhë prej 1 viti nga të gjitha procedurat e prokurimit publik, pas konstatimit se kjo kompani kishte përdorur dokumente të rreme dhe pa autorizim në një procedurë të hapur nga Komuna e Prizrenit, shkruan Insajderi.

    Sipas vendimit të OSHP-së të datës 8 gusht me numër 874/25, vendimi vjen pas shqyrtimit të një kërkese nga Komuna e Prizrenit për përjashtimin e kësaj kompanie, lidhur me tenderin me numër prokurimi 622-25-1862-5-1-1 për “Ndërtimin e infrastrukturës në lagjen Bajram Curri”.

    Komuna e Prizrenit kishte ngritur dyshime se kompania Archi Time kishte falsifikuar ose keqpërdorur dokumentacionin profesional të dy inxhinierëve, konkretisht Defrim Kabashi dhe Ibrahim Lekaj, për të plotësuar kriteret e tenderit.

    Pas verifikimeve, të dy inxhinierët kanë deklaruar zyrtarisht se nuk kishin dhënë asnjë autorizim për përdorimin e dokumenteve të tyre nga kjo kompani.

    Çka deklaruan inxhinierët?

    Inxhinieri Defrim Kabashi deklaroi se kishte autorizuar vetëm kompaninë tjetër KAB Holding Sh.p.k., dhe se dokumenti që u paraqit nga Archi Time, i ashtuquajturi “Marrëveshje Bashkëpunimi”, ishte i falsifikuar, pasi përmbante nënshkrimin e tij të kopjuar nga një dokument tjetër.

    Inxhinieri Ibrahim Lekaj deklaroi gjithashtu se nuk kishte autorizuar Archi Time, dhe se CV-ja, diploma dhe certifikatat e tij janë përdorur pa leje, duke përbërë kështu shkelje të rëndë të të drejtave të tij profesionale.

    Në përgjigje të kërkesës së OSHP-së, kompania Archi Time Sh.p.k. e mohoi kategorikisht pretendimin se ka pasur qëllim të përdorë dokumente të rreme. Sipas kompanisë, bashkëpunimi me inxhinierët ishte ndodhur në projekte të mëparshme dhe se mund të ketë pasur keqkuptim në koordinim, pa ndonjë qëllim mashtrimi apo përfitimi të paligjshëm.

    Ata deklaruan se nuk kanë pasur asnjëherë problem në tenderë të tjerë, dhe se dokumentet ishin përgatitur bazuar në marrëveshje të mëhershme të bashkëpunimit. Kompania kërkoi që të mos përjashtohej nga tenderët, duke pretenduar se nuk kishte fakte të mjaftueshme për të provuar një mashtrim të qëllimshëm.

    Sidoqoftë, OSHP vlerësoi se: Kompania Archi Time kishte përdorur në ofertën e saj dokumente të cilat ishin të rreme ose të falsifikuara. Përdorimi i dokumentacionit të inxhinierëve pa autorizim të tyre për projektin në fjalë përbën një shkelje serioze të ligjit. Justifikimet e Archi Time nuk ishin të mjaftueshme për të hedhur poshtë provat e ofruara nga autoriteti kontraktues (Komuna e Prizrenit).

    “Bazuar në nenin 99.2 të Ligjit për Prokurimin Publik, paneli shqyrtues vendosi që kompania të përjashtohet nga pjesëmarrja në tenderë për 1 vit, konkretisht nga 8 gushti 2025 deri më 7 gusht 2026”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

    Vendimi i plotë:

    Lidhur me rastin, Gazeta Insajderi ka kërkuar përgjigje nga kompania në fjalë, por të njëjtit nuk janë përgjigjur.

    Archi Time edhe më herët nën hetime për manipulime me tenderë në Prizren

    Kompania “Archi Time Sh.p.k.” nuk është hera e parë që përmendet në raste të lidhura me prokurimin publik në Komunën e Prizrenit. Në maj të këtij viti, Prokuroria Themelore në Prizren ngriti aktakuzë ndaj disa zyrtarëve komunalë dhe biznesmenëve, nën dyshimin për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Sipas aktakuzës, zyrtarë të Komunës së Prizrenit, në cilësinë e anëtarëve të komisionit vlerësues, dyshohet se kishin favorizuar kompanitë “Pro & Co Group Sh.p.k.” dhe “Archi Time Sh.p.k.” në tenderin për “Renovim dhe mirëmbajtje të objekteve të Komunës së Prizrenit”, të dhënë më 9 gusht 2022 me vlerë rreth 550 mijë euro.

    Hetimet kanë zbuluar se në këtë tender janë përdorur çmime të ulëta artificialisht dhe dokumente të dyshimta, ndërsa nga gjithsej 233 pozicione të kontratës, 74 nuk janë realizuar fare. Organi i akuzës vlerëson se qëllimi i manipulimit me çmime ka qenë fitimi i kontratës publike, duke i shkaktuar Komunës së Prizrenit dëm në vlerë mbi 412 mijë euro.

    Në këtë rast, përveç disa zyrtarëve komunalë, është akuzuar edhe biznesmeni Dashnor Ndrecaj, pronar i kompanisë “Archi Time Sh.p.k.”, i cili dyshohet se kishte paraqitur dokumentacion të rremë në tender. Ai akuzohet për veprën penale “Keqpërdorimi apo mashtrimi në prokurim publik” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës./Insajderi



    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark