Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, i ka dërguar letër liderëve të partive, ku i ka ftuar që t’i takojë më 31 korrik për konsultime për caktimin e datës së zgjedhjeve.
Osmani ka shkruar se bazuar në Kushtetutë dhe Ligjin, zgjedhjet duhet të mbahen përgjatë periudhës 26 janar- 16 shkurt 2025.
“Në këtë drejtim, bazuar në kompetencat e mia kushtetuese për shpalljen e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, ftoheni në takim konsultativ më 31 korrik 2024, në orën 14:00, në Sallën S301, në Ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në letrën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”.
Zgjedhjet e fundit nacionale janë mbajtur më 14 shkurt 2021, kur Lëvizja Vetëvendosje doli e para me më shumë se 50 për qind të votave. Partia e dytë ishte PDK, e treta LDK, kurse e katërta AAK. Partia e Fatmir Limajt nuk kishte arritur ta kalonte pragun zgjedhor.