
Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani, derisa po qëndron për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka folur për krizën institucionale në Kosovës që është shkaktuar tash e sa muaj, duke paralajmëruar kështu se do t’i drejtohet sërish Gjykatës Kushtetuese për sqarime lidhur me moskonstituimin e Kuvendit deri më 26 korrik, kur parashihet edhe përfundimi i afatit të përcaktuar nga Kushtetuesja.
Aktgjykimi i fundit i Kushtetueses nuk ka sqaruar sa duhet pasojat, në rast se Kuvendi nuk konstituohet deri më 26 korrik, për çka presidentja e vendit tha se do t`i drejtohet sërish Gjykatës Kushtetuese me pyetje të veçanta për këtë bllokadë institucionale.
“Në kushtetutën tonë, kur e hartuam, ishte e pamundur të parashikohej çdo skenar i vetëm. U hartua në një mënyrë me një mendim pozitiv, që ligjvënësit do të bashkëpunonin, në vend që të bllokonin njëri-tjetrin dhe institucionin. Pra, tani për tani, për shkak të një mungese qartësie kushtetuese, nëse mund ta quaj kështu, Parlamenti nuk është konstituuar. Por patëm një rast të ri në gjykatën Kushtetuese dhe gjykata ka sqaruar se ekziston ky afat i rreptë 30-ditor, i cili do të skadojë më 26 korrik, për Kushtetutën e Parlamentit. Por nuk sqaroi se cilat janë pasojat ligjore të mosrespektimit të atij afati të detyrueshëm kushtetues. Pra, duket se do të më duhet t’i drejtohem përsëri gjykatës dhe t’u bëj atyre atë pyetje të veçantë, dhe shpresoj se ata do të përgjigjen”, deklaroi Osmani.