Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar sot Prekazin për nder të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe 112-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Gjatë vizitës, ajo kujtoi komandantin legjendar Adem Jashari dhe daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), shkruan Insajderi.
“Adem Jashari ishte njeri i destinuar për madhështi. I lindur më 28 Nëntor, në Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë dhe ngritjes së flamurit kombëtar në Vlorë, ai është zemra e luftës sonë, simbol i rezistencës dhe flakadani i përjetshëm i lirisë,” shkroi presidentja.
Ajo tha se dita e 28 Nëntorit mori një kuptim të veçantë për kombin shqiptar me lindjen e Adem Jasharit dhe përkushtimin e tij ndaj idealeve të lirisë dhe pavarësisë kombëtare.
“Adem Jashari është hero i përjetësisë, njësoj sikurse UÇK-ja e përjetshme! Ai është i gjallë në zemrat tona dhe në historinë e kombit tonë,” shtoi ajo.