
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë të përbashkët për shtyp me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, shprehu shpresën që shtetet anëtare të Bashkimit Evropian të heqin masat ndaj Kosovës dhe të hapin rrugën e integrimit evropian për vendin e saj.
“Kosova është gati të ecë përpara. Integrimi evropian është një rrugë që kërkon përkushtim… Nën udhëheqjen tuaj t’i hapet rruga Kosovës drejt BE-së. Çdo minutë me masat në fuqi është minutë me shumë padrejtësi”, tha Osmani.
Ajo i bëri thirrje edhe pesë shteteve anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që ta bëjnë këtë sa më shpejt.
Presidentja u ndal edhe tek dialogu Kosovë-Serbi, duke theksuar rëndësinë e emërimit të emisarit të ri dhe duke shpresuar në një frymë të re dhe trajtim të barabartë në proces.
“Fokusi kryesor i këtij procesi duhet të jetë njohja e ndërsjellë, mes Kosovës dhe Serbisë”, theksoi ajo.
Duke komentuar vizitën e fundit të Presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Moskë, Osmani e quajti atë “një akt të qartë që sfidon qëndrueshmërinë dhe stabilitetin e Evropës”.
Në përmbyllje, ajo falënderoi Presidentin Costa për mbështetjen dhe angazhimin në rrugën evropiane të Kosovës.
“Është investim në paqe dhe stabilitet. Plani i rritjes për Ballkanin është një mundësi e mirë. Është qenësore të ketë progres në dialogun Kosovë-Serbi”, deklaroi Osmani.