
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka komentuar takimin që do të mbahet nesër me liderët e partive politike, i thirrur për të gjetur një zgjidhje për formimin e institucioneve të reja në vend.
Në një konferencë për media të mbajtur pas takimit me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, Osmani theksoi se është thelbësore që Kuvendi i Kosovës të konstituohet sa më parë, pasi kjo është në të mirë të vendit dhe qytetarëve, shkruan Insajderi.
“Unë i falënderoj të gjithë liderët e partive politike që janë përgjigjur pozitivisht. Kjo është vetëm fillimi i një serie takimesh. Do të vazhdojmë varësisht sesi shkojnë diskutimet nesër – qoftë në të njëjtin format, në formate të ngjashme, apo në takime individuale me liderët e partive”, tha Osmani.
Ajo shtoi se Presidenca është duke vepruar në përputhje me detyrimet kushtetuese. Sipas saj, neni 84 i Kushtetutës përcakton qartë se presidentja duhet të garantojë funksionimin kushtetues të institucioneve.
“Moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës rrezikon pikërisht funksionimin kushtetues të institucioneve të Kosovës. Kjo është arsyeja pse i kam ftuar liderët – për të diskutuar rrugën përpara”, theksoi ajo.
Osmani nënvizoi se nuk dëshiron të paragjykojë rezultatin e takimit, por vendosi në plan të parë interesin kombëtar.
“Nuk do të doja të paragjykoja tani për rezultatin. Duke vënë parësor interesin e vendit, Kosova ka nevojë sa më parë për Kuvend. Qoftë edhe vetëm për faktin që është i nevojshëm vendimi i Kuvendit për planin e rritjes. Por, gjithashtu janë shumë marrëveshje ndërkombëtare dhe ligje të rëndësishme që nëse nuk ratifikohen sa më parë, do të pësojnë Kosova dhe qytetarët”, përfundoi Presidentja.