Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim ambasadorin e BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog. Siç informoi sot Presidenca, ky takim u realizua me qëllim të koordinimit më të mirë në prag të Samitit BE – Ballkani Perëndimor, që do të mbahet në Tiranë më 6 dhjetor.
Në takim u vlerësua fakti që për herë të parë, ky Samit do të mbahet pikërisht në Ballkanin Perëndimor, duke konfirmuar gatishmërinë e vendeve të BE-së për një angazhim më të madh drejt bashkëpunimit dhe partneritetit me vendet e rajonit.
Palët, sipas komunikatës, diskutuan po ashtu për deklaratën, e cila pritet të miratohet nga pjesëmarrësit në Samit.
“Me këtë rast, Ambasadori Szunyog dorëzoi kopjen fizike të ftesës nga Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel për Presidenten Osmani, e cila do ta përfaqësojë Kosovën në Samitin BE – Ballkani Perëndimor.”, bëri të ditur Presidenca.