Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se në të njëjtën mënyrë si qëndroi me Kosovën në fund të viteve ’90, bota duhet të qëndrojë sot me Ukrainën. Kjo deklaratë u bë në fjalimin e saj përmbyllës në Samitin e Paqes për Ukrainën në Zvicër, ku morën pjesë liderë nga 100 shtete të të gjitha kontinenteve.
Osmani i falënderoi shtetet mbështetëse të Kosovës, të cilat i quajti “shpëtimtarët tanë”, dhe shprehu shpresën se mundësia e njëjtë do t’u jepet edhe fëmijëve ukrainas.
“Ashtu si bota qëndroi me popullin e Kosovës 25 vjet më parë, ne duhet të vazhdojmë të qëndrojmë me Ukrainën për të arritur paqen, një paqe të drejtë”, tha Osmani.
Në ditët më të vështira për popullin e Kosovës, Osmani tha se shtetet demokratike erdhën në ndihmë duke dërguar sinjal të qartë se nuk do të lejojnë shtypjen e shfarosjen e një populli që luftonte për lirinë e vet.
Dhe tash, 25 vjet pas, ajo tha se “Kosova është pjesë e aleancave që po mbrojnë vlerat e lirisë”.
Kjo luftë tash, Osmani tha se “nuk është thjesht lufta e Ukrainës”, por “është një betejë për vlerat dhe idealet tona të përbashkëta, të cilat sot janë nën rrethim, por janë po aq të qëndrueshme sa shpirti i atyre që i mbrojnë”.