Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, s’do të marrë pjesë në samitin BE-Ballkani Perëndimor, ku parashihet plani i rritjes. Samiti do të mbahet në Tiranë sot.
Këshilltari i presidentes, Bekim Kupina, ka thënë se s’ka qenë e paraparë pjesëmarrja e saj në këtë takim. Sipas tij, aty janë të ftuara qeveritë, shkruan Gazeta Insajderi.
“Presidentja Vjosa Osmani ka qenë e ftuar vetëm për Samitin Ukrainë- Evropa Juglindore të datës 28 shkurt në Tiranë. Nuk ka qenë e paraparë pjesëmarrja e saj në takimin e kryeministrave më 29 shkurt për planin e rritjes. Aty janë të ftuara qeveritë”, ka thënë ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në anën tjetër do të marrë pjesë vetëm virtualisht në këtë samit. Kështu ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu për KosovaPressin, duke thënë se kryeministri ka angazhime të tjera.
“Për shkak të angazhimeve të mëparshme, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk do të jetë i pranishëm fizikisht në Samitin e sotëm në Tiranë. Megjithatë kryeministri Kurti do të jetë pjesë e e Samitit virtualisht përmes përmes një video-adresimi”, ka thënë Kryeziu.
Të enjten në Tiranë mbahet Samiti rajonal mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës me fokus integrimin e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian, si edhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Ky samit mbahet një ditë pas atij Ukrainë-Evropa Juglindore në kryeqytetin shqiptar dhe do të ofrojë mundësi të reja për një shkëmbim pikëpamjesh mbi të ardhmen evropiane të rajonit dhe mbi sfidat e përbashkëta rajonale. /Insajderi.org/