
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani edhe njëherë ia ka bërë të qartë Aleksandër Vuçiqit që Kosova asnjëherë në historinë e saj nuk e ka sulmuar e pushtuar askënd.
Osmani pas samit të Brdo Brijunit që po mbahet në Shqipëri, tha se Vuçiqi sikurse çdo herë tjetër iu drejtua samitit me një dozë të shtuar të ofendimeve dhe arrogancës për ta prishur takimin.
Megjithatë, Osmani tha se Kosova kishte argumentet e fuqishme të së drejtës së saj, duke theksuar se Kosova është pro bashkëpunimit rajonal, por gjithmonë duke mbrojtur sovranitetin e saj.
“Sikurse dhe në takimet e tjera të Brdo Brijunit, ndoshta me një dozë më të madhe, Vuçiqi i Serbisë iu drejtua samitit me ofendime dhe arrogancë me tentimin që ta prishte takimin por arritëm në fund që ta miratojmë deklaratën e përbashkët me unanimitet. Natyrisht me çdo propagandë që Vuçiqi synonte të prezantonte para pjesëmarrëseve, ne si Republikë e Kosovës kishim argumentet tona të fuqishme, argumentet në anën e së drejtës dhe argumente që janë mbështetur e janë fuqizuar nga e drejta ndërkombëtare, ndërmjet mendimeve të gjykatës ndërkombëtare të drejtësie”.
“Si Kosovë jemi pro bashkëpunimit rajonal, por në të njëjtën kohë do ta mbrojmë interesin tonë shtetëror, sovranitetin, integritetin tonë territorial edhe pse Vuçiq kishte ankesa për paktin tonë për marrëveshjen e përbashkët, Kosovë-Shqipëri dhe Kroaci në fushën e mbrojtjes, ai mori rikonfirmimin tonë të përbashkët që kjo shënon një bashkëpunim që ka qëllim mbrojtën tonë. Dhe përgjigja ime ishte që në tërë historinë e ekzistencës sonë si komb, ne asnjëherë nuk e kemi sulmuar e as pushtuar askënd mirëpo gjithnjë e kemi mbrojtur dhe do ta mbrojmë vetën dhe integritetin territorial”.
“…Pra aleancat tona janë aleanca mbrojtëse për të na mbrojtur nga rreziqet tjera, në rastin tonë për Kosovën rreziku vjen nga Serbia dhe ne do të vazhdojmë të fuqizojmë ushtrinë tonë me qëllim të mbrohet çdo centimetër e RKS dhe liria me shumë mund e sakrificë”, tha Osmani.