Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar pas arrestimit të ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj në Francë.
OVL e UÇK-së, ka thënë se ndjehet përgjegjëse sepse nuk kanë kërkuar që çdo serbi që ka bërë krime në Kosovë, t’i ngrihet padi penale dhe të shpallet në kërkim ndërkombëtar.
“Ne, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ndihemi përgjegjës për këtë që ka ndodhur me komandantin Ramush Haradinaj, njëkohësisht njëri nga udhëheqësit kryesor të politikës së shtetit të Kosovës, sepse nuk kemi kërkuar që çdo serbi që ka bërë krime në Kosovë, t’i ngrihet padi penale dhe të shpallet në kërkim ndërkombëtar”, thuhet në komunikatën e OVL-UÇK-së, përcjell ksp. “Këta janë me qindra e ndoshta mijëra. Dëshmitarë për ta janë gjithë qytetarët e Kosovës, që janë masakruar prej tyre dhe gjithë familjarët e të vrarëve”, thuhet më tej në njoftim.
Në komunikatë, kjo organizatë thotë po ashtu se “ne, nga ky rast mësuam dhe duke kërkuar falje për mosveprimin e derisotëm, do të fillojmë menjëherë të përpilojmë dosjet përkatëse për akuzë”.
“I bëjmë thirrje Kuvendit të Kosovës, Presidentit e Qeverisë, të bëhen pjesë me ne, në unanimitet t’i tregojmë publikisht Serbisë kriminale përmasat e krimit që ka kryer në Kosovë. Çdo politikan apo shtetar që nuk vepron të paktën tani, nuk e vlen të ketë besimin e popullit”, thuhet në njoftim. “Publikisht dihet që në Kosovë në vitin 1998 kanë hyrë 63 mijë armë për të armatosur qytetarët serb të Kosovës. Ato armë janë përdorur prej tyre kundër shqiptarëve. Kjo sa shënohet, është vetëm për kriminelët civil. Kur flasim për ushtarakët(ushtri e polici) është llogari në vete”, thuhet më tej aty. /Insajderi.com