“Mbreti Zogu nuk organizoi rezistencë dhe u largua nga Shqipëria”. Kjo fjali e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ngjalli reagimin e profesorit shqiptar, Hasan Bello dhe Shpëtim Axhamit, kryetarit të Lëvizjes së Legalitetit (parti që mbështet monarkinë shqiptare).
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri një shkrim në nder të përkujtimit të ditës së pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste më 7 prill. Kurti në postimin e tij në ‘Facebook’ kritikon mbretin Ahmet Zogu për ikje nga Shqipëria dhe mos-rezistencë ndaj Italisë fashiste, shkruan Gazeta Insajderi.
“E vetmja rezistencë e shënueshme ishte ajo e bërë në Durrës nga xhandarmëria shqiptare e mbështetur nga vullnetarë, të komanduar nga Abaz Kupi dhe oficeri Mujo Ulqinaku. Në mesditë, Durrësi ishte plotësisht në duart e italianëve. Tirana u mor mëngjesin e 8 prillit, kurse brenda tre ditësh trupat italiane arritën edhe në zonat më kufitare të terriorit shqiptar. Mbreti Zogu nuk organizoi rezistencë dhe u largua nga Shqipëria”, thuhet ndër të tjera në postimin e tij.
Ky shkrim i shefit të Qeverisë kosovare shkaktoi reagim në Shqipëri. Profesori Hasan Bello në një letër publike e demanton kryeministrin Kurti, ku thotë se Abaz Kupi dhe Mujo Ulqinaku, dy figura që kanë qenë pjesë e strukturave shtetërore zhvilluan qëndresë me urdhërat e Mbretit Zog.
“Z.Kryeminister ne radhe te pare flm per perkujtimin e kesaj date dhe deshmoreve qe dhane jeten kunder agresionit italian te 7 prillit 1939. Por megjith respektin per ju, mendoj se nuk eshte e vertete teza qe Mbreti Zog nuk organizoi qendrese. Abaz Kupi, Mujo Ulqinaku dhe deshmoret e tjere qe dhane jeten ishin pjese e strukturave shteterore qe vareshin dhe u urdheruan nga Mbreti per te zhvilluar qendrese“, thuhet në shkrimin e profesorit Bello.
“Madje, Abas Kupi ka dhe nje interviste ne gazeten “Shqipnija” ne 1944 ku deklaron se Zogu e kishte urdheruar qe “Porsa te shkel kamba e ushtarit italian ne token shqiptare, do te japish menjehere urdhnin e zjarrit. Ne rast se, ma vone, ju do te merrni nje urdhen te dyte nga une, me goje ose me shkrim, ketij urdhni te dyte, duhet te mos i bindesh”. Keshtu veprova dhe une,-vazhdon Abas Kupi,-dhe u mundova me ba detyren e ushtarit dhe patriotit qe e do megjith zemer atdheun e vet””.
“Para largimit ne ekzil (ashtu si vepruan te gjithe mbreterit e vendeve fqinje) Zogu u perpoq te siguronte ndihmen e diplomacise nderkombetare. Por te gjithe e lane ne balte. Ndersa jugosllavet deklaruan se do te hynin 15-20 km ne brendesi te territorit shqiptar per te siguruar “zonen strategjike”. Kjo e fundit nxorri jasht loje planin per tu terhequr ne malesite e veriut, per te vijuar qendresen”, vijon reagimi i tij.
Profesori i Shqipërisë ia përngjan shkrimin e Kurtit me, siç i referohet ai, përpjekjes së “historiografisë komuniste” për harrimin e kontributit të Zogut.
“Ajo që ju thoni nuk ndihmon aspak harmoninë mes shqiptarëve kudo ku gjenden por përkundrazi ringjall tezat dashakeqe komuniste”, thuhet ndër të tjera në reagim.
“Gjithashtu këto teza që Ju z .Kryeministër artikuloni me qëllim pa të drejtë e pa fakte nuk e dëmtojnë Aspak Familjen Mbretërore dhe Princ Lekën si trashigimtar i vetëm i Fronit Mbretëror si Mbret i Shqiptarëve me një Shqipëri të bashkuar me Kosovën”. /Insajderi.org/