Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas pamjeve ku po shihen prindërit duke pritur me orë të tëra për të blerë librat për fëmijët e tyre.
Përmes një videoje, Abdixhiku ka treguar se si prindërit janë duke u “malltretuar” nga kaosi organizativ, tollovia dhe pritja, përçka shprehet se “janë pamje të përpjekjes së përditshme të prindërve kosovarë të cilët, pa asnjë nevojë e asnjë logjikë, u bënë subjekt i eksperimentit komplikues të Qeverisë”.
“Pritje në rend, paqartësi mbi blerjen e librave, bartje nëpër librari të ndryshme e aplikime për rimbursim janë disa nga telashet e panevojshme – tërësisht të panevojshme – të krijuara nga vet qeveria”, ka thënë Abdixhiku,
“Ironikisht, nën paranojën e përfitimeve të biznesit, pushteti popullist kishte dështuar një proces që çdo vit kryhej krejt normalisht. Ironikisht, në gjithë këtë proces, të vetmit përfitues mbetën pikërisht këto biznese. Në fund, librat u blenë te ata. Dhe, siç kuptuam nga vendimi i vet Qeverisë, në vend të 4.8 milionëve tani do t’i përfitojnë mbi 6 milionë euro si subvencionim”.
Për kontrast, Abdixhiku vlerëson se në vitin 2023 do të duhej të flisnim “për digjitalizim të shkollave, për klasë me nga 20 nxënës, për kodimin si lëndë obligative, për intelegjencën artificiale si subjekt mësimi”.
“Në vend të kësaj, po merremi – merreni me mend – me blerjen e librave dhe maltretimin e panevojshëm të prindërve. Do të merremi me ballafaqime të tilla sepse është mendësia e mospunës, ankesës e paranojës që s’lë shtetin e shoqërinë të bëjë zhvillim”.
Videomesazhin e tij e konkludon me “e djathta është zgjidhja e Rruga e Re është përgjigjja”.