Kur forcat Izraelite u shfaqën javën e kaluar për të arrestuar shkrimtarin 66-vjeçar, Ahmad Qatamesh, në shtëpinë e tij në një pjesë të okupuar.
Gruaja e tij thotë që ishte kapluar nga tronditja dhe konfuzioni.
“Pse tani? Pse atë? Ai është i vjetër, ka probleme me shëndet, dhe po bën atë që di të bëjë: të flasë. Edhe shokët dhe familja janë të tronditur”, ka thënë Suha Barghouti, gruaja e tij, për Al Jazeera në telefon.
Ushtarët Izraelitë kanë arrestuar Qatamesh, një intelektual publik i njohur për shkrimet dhe ligjëratat e tij, gjatë orëve të pasdites së 14 majit pasi kishin bastisur shtëpinë e vëllait të tij aty afër.
Të mërkurën, Izraeli kishte vënë Qatamesh-in nën mbajtje administrative, një praktikë në të cilën palestinezët burgosen për “dëshmi të fshehura” pa pasur ndonjë padi apo i gjykuar. Barghouti thotë që ai nuk ka pasur lidhje me organizata politike dhe beson që është vënë në shënjestër për shkak të ideve të tij.
“Ata nuk duhet ta arrestojnë atë për bisedat me njerëz dhe për shkrimet… kjo duhet të jetë personale”, thotë ajo.
Inteligjenca izraelite ka thirrur Qatamesh-in disa herë gjatë këtij viti për ta marrë në pyetje, ka shtuar Barghouti, shpesh duke e paralajmëruar të mos fliste në mënyrë provokuese për të drejtat e të burgosurve dhe për probleme tjera.
Një gjykatës ushtarak izraelit duhet të aprovojë urdhrin për mbajtjen administrative tre-mujore gjatë këtyre ditëve.
Al Jazeera nuk ka mundur të marrë ndonjë përgjigje nga agjencia e inteligjencës izraelite “Shin Bet”. Ndërsa sipas The Times of Israel, “Shin Bet” ka akuzuar Qatamesh-in për anëtarësi në partinë politike majtiste palestineze, Fronti Popullor për Çlirim të Palestinës.
Përgjatë muajit të kaluar, Qatamesh ka qenë shumë i zëshëm në mbështetjen e grevës së urisë nga të burgosurit në Izrael, ku të burgosurit politik palestinezë kanë agjëruar tash e 34 ditë. /Insajderi.com