Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po e mbështetë opozitën shqiptare në Maqedoninë e Veriut, para zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në shtetin fqinj. Rrjedhimisht, ai është vënë kundër BDI-së. Zyrtari i lartë i këtij subjekti politik Artan Grubi, thotë se shefi i Qeverisë së Kosovës s’do të ketë sukses edhe andej.
Grubi për Gazetën Express ka thënë se Kurti nuk e kishte ftuar ndonjë përfaqësues nga BDI’ja, kur në fillim të këtij muaji i mblodhi në zyrën e tij në Prishtinë përfaqësuesit e partive opozitare që janë bërë bashkë në një koalicion.
“Nuk kemi patur ftesë. Për arsyet duhet ta pyesni kryeministrin e Kosovës. Gjithashtu edhe për motivet e atij takimi me parti politike, derivate të BDI-së, në opozitë, duhet përgjigjen ta kërkoni në kryeministri, ndërsa verësim për nevojën e atij takimi te shoqëria kosovare”, tha Grubi.
Ai tha se Kurti “pa sukses” kishte vepruar njëjtë edhe në zgjedhjet e mëparshme në RMV.
“E njëjta gjë dhe veprimtari ndodhi në zgjedhjet presidenciale në vitin 2019 si dhe në zgjedhjet parlamentare në vitin 2020, por pa sukses”, tha Grubi.