×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Analiza

    Pa viza: Qeveria Kurti tallet me qytetarët- Si e shiti si sukses diplomatik vendimin e Tajlandës për promovim të turizmit?

    Insajderi
    17 July 2024 - 11:17
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Mungesa e sukseseve në fushën e diplomacisë shtyu Qeverinë Kurti që ta shiste si arritje diplomatike një vendim të Tajlandës për promovim të turizmit. Gjegjësisht, largimin e regjimit të vizave për 93 shtete, në mesin e të cilave ishte edhe Kosova. Lajmit i dha jehonë kryediplomatja Donika Gërvalla-Schwarz, teksa u shpërnda edhe nga udhëheqësi i shtetit, Albin Kurti.

    Gërvalla mbrëmjen e së martës, befasisht njoftoi se Tajlanda ka vendosur t’i largojë vizat për shtetin e Kosovës. Pa publikuar foto me zyrtarë tajlandezë apo takime paraprake ose njoftime për memorandume bashkëpunimi, MPJD’ja kishte përgatitur një fotografi ceremoniale për t’ua dhënë lajmin qytetarëve të Kosovës, shkruan Gazeta Insajderi.

    Nga sot, qytetarët e Republikës së Kosovës mund të udhëtojnë pa viza edhe në Tajlandë. Ky është edhe një hap më shumë në fuqizimin e pasaportës së Republikës sonë dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Kjo arritje reflekton përkushtimin tonë të vazhdueshëm për të zgjeruar mundësitë ndërkombëtare dhe për të forcuar lidhjet diplomatike me shtetet anembanë botës”, thuhet në postimin e mbrëmshëm të Gërvallës, e cila u nda edhe nga akterë qeveritarë.

    Në anën tjetër, bujë lajmit i dha edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Përpos këtij lajmi, Kurti tha se Kosova po afirmohet nga shtetet e huaja përgjatë qeverisjes së tij.

    “Pasaporta e Republikës sonë po vazhdon të fuqizohet përherë e më shumë. Tajlanda i shtohet listës së gjatë të shteteve në të cilat qytetarët tanë nga ky vit mund të udhëtojnë pa viza.  Zhvillim e progres brenda vendit. Dinjitet e afirmim jashtë vendit, u tha në postimin e tij.

    Si qëndron e vërteta?

    Tajlanda për qëllime strategjike të promovimit të turizmit, ka vendosur të largojë vizat për 93 shtetet, në mesin e të cilave janë Kosova dhe Shqipëria. Vendimi është publikuar në platformën ‘X’, ku kanë shfaqur edhe listën e shteteve të cilave ua kanë larguar regjimin e vizave.

    Tajlanda merr vendim për masa të reja për viza për të përmirësuar turizmin dhe ekonominë e vendit. Vendimi hynë në fuqi më 15 korrik 2024. Shtetasit e 93 vendeve dhe territoreve kanë të drejtën e përjashtimit nga viza për qëllime turizmi, angazhime biznesi ose punë urgjente“, thuhet ndër të tjera në njoftimin e MPJ’së tajlandeze.

    Nga njoftimi i tyre, bëhet e ditur se qëndrimi atje është i mundur për 60 ditë dhe mund të zgjatet edhe për 30 ditë të tjera.

    Ndryshe nga akterët qeveritarë të Kosovës, ky lajm duket që nuk i gëzoi fort ata të Shqipërisë. As kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e as ministri i Punëve të Jashtme, Igli Hasani, s’i kanë njoftuar qytetarët e tyre për këtë vendim.

    Njoftime për këtë s’u dhanë as në uebfaqet zyrtare qeveritare të Shqipërisë.

    Për Donika Gërvallën përgjatë mandatit të saj si udhëheqëse e diplomacisë kosovare asnjëherë nuk ka pasur njoftim për ndonjë takim me zyrtarë tajlandezë apo arritje të ndonjë marrëveshjeje në formë të memorandumit të bashkëpunimit me Tajlandën.

    Ndërkaq, kryeministri Kurti më 2023-ën pati njoftuar se kishte marrë letër urimi për tash ish-kryeministri tajlandez, Prayut Chan-o-cha. Në urim aty shprehej mundësia për thellim të bashkëpunimit.

    Tajlanda, posaçërisht Bankoku, është një vend jo pak i njohur për kabinetin e Gërvallës. Në media para një viti ishte publikuar një fotografi e Sharr Jakupit, shefit të kabinetit të Gërvallës, në një strip klub.

    Ai përmes një shkrimi, ndonëse nuk kishte mohuar prezencën e tij atje, ai kishte mohuar atë çfarë shkruhej në raportimet për të.

    “Përmes këtij postimi dua të demantoj artikullin që po qarkullon në disa media online lidhur me një fotografi ku shihem unë në një club nate gjatë pushimeve private që kam kaluar në Tajlandë”, thuhej ndër të tjera në reagimin e tij.

    Politika e Tajlandës zhvillohet në kuadrin e një monarkie kushtetuese, ku kryeministri është kreu i qeverisë dhe një monark trashëgues është kreu i shtetit. Gjyqësori është i pavarur nga pushteti ekzekutiv dhe legjislativ. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark