Kreu i AKR’së, Behgjet Pacolli, ka sqaruar raportet më Naim Murselin, të cilin e kishte këshilltar gjatë kohës kur ishte President i Kosovës.
Pacolli ka thënë se me Murselin njihet prej vitesh.
“Naim Murselin e njoh prej vitesh, duke filluar nga momenti kur ai m’u ofrua si adoleshent, pas një sëmundje që kishte përjetuar. Ai ka qenë pjesë e entourazhit tim që nga atëherë. Ndër vite, ka shfaqur interes për iniciativat e mia në median sociale dhe kam pasur mundësinë të ndihmoj në disa iniciativa biznesi që ai kishte nisur që nga viti 2019”, ka shkruar Pacolli në Facebook.
Ai tha se gjatë mandatit të tij si Ministër i Punëve të Jashtme ka pritur figura politike (deputetë e kryetarë komunash nga Suedija), ku Murseli ka qenë pjesë e përcjelljes së tyre.
“Përveç kësaj, kam ruajtur një marrëdhënie të mirë me familjen e tij. Madje, unë dhe shoqja ime ishim kumbarë të djalit të tyre. Liridona kishte miqësi me familjen time”.
Tutje, Pacolli tha se tragjedia e fundit e ka prekur thellë, dhe bashkëndjen në dhimbjen e familjes së Liridonës dhe fëmijëve.
“Nuk kam pasuar dijeni për ndonjë precedent konflikti për Naimin. Jam i prirur të besoj vetëm në anën pozitive të njerëzve dhe nuk do të mendoja kurrë se ai do të përfundonte në një akt kaq tmerrues”.
“Kam mbajtur heshtje këto ditë si shenjë respekti për vuajtjet e familjes së Liridonës. Gjithashtu, dua të përsëris se çdo individ është përgjegjës për veprimet e veta, dhe drejtësia duhet t’u tregojë secilit vendin e merituar”, ka shkruar Pacolli.
I dyshuari Naim Murseli, të premten e ka pranuar para hetuesve se e ka porositur vrasjen e bashkëshortes së tij te i dyshuari G.P.