Kryetari i AKR, Behgjet Pacolli ka thënë se ka folur me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq.
Këtë gjë e bëri për shkak se sipas tij ia kishte kërkuar Kurti e Osmani.
Ai madje thotë se kanë pasur një takim privat me të dy brenda zyrave të parlamentit, kur i kërkuan një gjë të tillë.
“Dhe atë natë më kanë thënë e mungojnë edhe votat e tjera dhe më thonë zoti Pacolli, ju si gjithmonë gjeni një zgjidhje“, tha ai mes tjerash në Dukagjini, përcjell Insajderi.
“Por, dëshpërimi është i madh. Kur e sheh që njeriu i Qeverisë apo Qeveria, flet në emër të Qeverisë. Dhe thotë se nuk është e vërtetë, ai gënjen. Nuk është natyra e ime të shkoj dhe ta denoncoj një gjë të tillë… unë nuk mund të gënjej e kam than ashtu siç ka qenë”.
Pacolli ka zbuluar detaje të atij takimi.
“Ka qenë ora 00:30 pasmesnatës, ka qenë praktikisht në fillim e ditës kur është votuar. Dhe më kanë thirr që të shkoj në Parlament, kam shkuar, në zyrën private të kryetares së Parlamentit, aty më kanë pranuar. Nuk kam qenë vet, kam qenë më një person tjetër. Ai më duket se ka bërë edhe disa foto në atë mbrëmje“.
“Zoti Kurti ka qenë i ulur para meje, këmbë mbi këmbë. Në anën tjetër ka qenë zonja Osmani, e cila thotë se ne kemi ardhur deri këtu. Unë isha kthyer nga Turqia me kërkesën e tyre, me një avion privat, duke paguar koxha shumë para për të votuar për presidenten. Pasi më thanë se isha në Stamboll, se mungon vetëm vota ime. Dhe formimi i Qeverisë është në duart e mija, unë nuk kam mund mos me u kthyer. Dhe atë natë më kanë thënë e mungojnë edhe votat e tjera dhe më thonë zoti Pacolli, ju si gjithmonë gjeni një zgjidhje. Unë iu kam thënë se është vështirë, t’i drejtohem dikujt tjetër nga partitë tjera, pasi hasmëria ka qenë koxha e madhe. Por që mbetet vetëm Lisa Serbe, ajo ka qenë në parlament. Dhe ka pasur deputetët e vet”, ka thënë Pacolli në Debat Plus.