
Sot ka dështuar për herë të 26-të tentativa për të konstituuar Kuvendin e Kosovës, duke thelluar më tej krizën politike në vend.
Për këtë situatë ka reaguar kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, i cili e ka quajtur këtë ngërç një “poshtërsi politike”.
“Mua dikur më quanin servil, të paditur e të paaftë për politikë – vetëm sepse zgjidhja krizat politike, pa marrë parasysh se kush ishin partitë apo partnerët. E bëja për Kosovën, sepse e dija se çdo bllokadë politike e dëmton vendin”, shkroi ai në Facebook.
Ai kritikoi ashpër sjelljen e partive politike, duke i akuzuar për përdorim të posteve publike për interesa personale.
“A e shihni sa keq është kur dikush nuk e do vendin e vet? Kur e përdor postin publik për interesa personale, për inate, për hesape politike dhe jo për të përfaqësuar qytetarët që ua dhanë votën?”, shtoi ai.
Në reagimin e tij të ashpër, Pacolli u shpreh se “politika bie poshtë kur përbuz hapur besimin e qytetarit, kur karrigia bëhet më e rëndësishme se vendi dhe kur shkelet dinjiteti i institucioneve vetëm për t’i bërë qejfin vetes ose liderit të partisë.”
“Sa turp, sa dështim!”, tha Pacolli.