Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli ka takuar në Francë ish-komandantin e Zonës Operative të Dukagjinit, ish-kryeministrin e kreun e AAK-së, Ramush Haradinajn.
E ka cilësuar si ndjenjë të veçantë, dashurie e dhimbje.
“Ishte ndjenjë e veçantë, një ndjenjë dashurie dhe dhimbje takimi me Ramushin. E pakuptueshme se si një njeri si Ramushi të përballet me probleme gjyqësore edhe pse i ka përfunduar të gjitha proceset. Do të kthehet në shtëpi së shpejti dhe kjo ndjenjë e dhimbjes që kisha për të, nuk do të jetë më”, ka shkruar Pacolli.
“Së shpejti do kthehet në Kosovë, së pari të prindërit e të shoqja dhe fëmijët e tij të mrekullueshëm. Edhe miqtë e vet kudo në Kosovë e gjetiu e presin kthimin e tij”.
Haradinaj po mbahet në Francë, pasi u ndalua nga autoritetet e atjeshme nga një urdhërarrest që Serbia e ka lëshuar për të dhe kosovarë të tjerë që nga viti 2004. Ai u lirua nga paraburgimi pas mbajtjes tetë ditëshe, me kusht që të mos lëshojë Francën dhe të paraqitet dy herë në javë në polici.