Asamblisti i Gjilanit, Arianit Ibrahimi ka ushtruar një padi për shpifje kundër Kushtrim Kadriut aktualisht Kryesues i Kuvendit në këtë qytet.
Seancat janë shtyrë disa here radhazi. Avokati i Kadriut pretendon që Gjykatësja Alidema po e favorizon Ibrahimin, që nga po e njëjta Gjykatë ka një fletë arrest për një rast tjetër.
Gazeta Insajderi
Arianit Ibrahimi, që dikur asamblist i AKR-së në Gjilan dhe për pak kohë edhe në koalicion me të parin e Gjilanit nga Vetëvendosja, Alban Hyseni po kërkohet nga Gjykata në Gjilan për një rast penal.
Në po të njëjtën gjykatë ai ka nisur edhe një betejë ligjore kundër ish-kolegut, tash Kryesuesit, Kushtrim Kadriu. E ka paditur për shpifje.
Por mbrojtja e këtyre të fundit ka ankesa se ai po trajtohet ky rast.
Kjo pasi që seancat janë shtyrë për plotë shtatë herë.
Një nga avokatët e Kadriut ka pretendime të forta se gjykatësja që e drejtoj këtë rast, Mirvete Alidema e ka shkelur ligjin.
“Po, ligji është duke u shkelur pasi që në seancën e parë në prill të 2024 është shtyer me qëllim që të sillet autorizimi, pastaj në maj 2024 detyrohet përfaqësuesi i tij të sjell autorizimin origjinal dhe të noterizuar për datën 21 qershor dhe prapë nuk e sjell autorizimin”, ka thënë për Insajderin avokati Ilir Shqqiri.
Ai ka dhenë edhe sqarime shtesë.
“Pra për 3 muaj rresht i zgjatet afati kohor që të sillet autorizimi ndërsa ende nuk është sjellur prandaj edhe sot në seancë kemi kërkuar që të revokohen të gjitha veprimet e përfaqësuesit të Arianit Ibrahimit dhe të revokohen edhe veprimet procedurale të gjykatës dhe të konstatoj të tërhequr padinë pasi që nuk ka qene prezent paditësi dhe që përfaqësuesi i tij nuk ka autorizim valid”, tha ai për Insajderin.
Për personin për të cilin avokati pretendon se Gjykata në Gjilan po e shkel ligjin, nga po e njëjta Gjykatë ka fletë-arrest.
Për Arianit Ibrahimin, ish-partner i koalicionit të fundit me Alban Hysenin e VV’së që ia mundësoi pushtetin në Gjilan, është shpallur urdhërarrest nga gjykata. Ai po dyshohet për veprën penale “Ngacmimi”, teksa i njëjti është më vendbanim në Amerikë.
Lexo raportimin e Insajderit
Javë në parë, Gazeta Insajderi e ka pyetur Gjykatën në Gjilan për këtë rast. Ata kanë dhënë një version krejt tjetër të rastit dhe të arsyeve se pse sipas tyre Gjykatësja Mirvete Alidema i ka shtyrë seancat e këtij rasti.
Kjo është përgjigja e plotë e Gjykatës në Gjilan:
“Duke ju referuar kërkesës së suaj për rastin e paditësit Arianit Ibrahimi dhe të paditurit Kushtrim Kadriu,
lidhur me shtyrjen e seancave dhe për mos tërheqjen e padisë ju njoftojë me sa vijon:
– Me datë 5 tetor 2023 seanca është shtyrë me kërkesën e të paditurit, Kushtrim Kadriu për të
cilën shtyrje janë njoftuar me shkrim të dy palët dhe seanca nuk është mbajtur, i padituri
Kushtrim në parashtresë ka dhënë edhe arsyen dhe ka dëshmuar me provë, se atë ditë ka
mbledhje Kuvendi Komunal dhe ky duhet të jetë i pranishëm pasi që është Kryesues i Kuvendit.
– Seanca e caktuar për datë 10 tetor 2023 nuk është mbajtur sepse i padituri Kushtrim Kadriu ka
kërkuar shtyrjen me arsyetim që ka mbledhje të Kuvendit Komunal dhe do të diskutohet për
buxhetin dhe prania e tij ka qenë e domosdoshme.
– Me datën 6 nëntor 2023 i autorizuari i të paditurit Avokat. Ilir Shaqiri ka kërkuar shtyrjen e
seancës me arsyetim që nuk i ka pasur të gjitha shkresat e lëndës.
– Me datë 7 mars 2024 i autorizuari i të paditurit Kushtrim Kadriu, Avokat Ilir Shaqiri ka kërkuar
shtyrjen e seancës, me arsyetimin që ka përvjetorin e vdekjes së djalit të tij.
– Me datë 21 mars 2024 seanca është shtyrë me kërkesën e të autorizuarit të palës paditëse
Avokat Milot Spahiu me arsyetim që i njëjti nuk e ka autorizimin e noterizuar, por vetëm të
dërguar në mënyrë elektronike, e ku për propozimin për shtyrje nuk e ka kundërshtuar Avokat
Ilir Shaqiri, i cili përfaqëson palën e paditur Kushtrim Kadriu.
Me datë 20.05.2024 është mbajtur shqyrtimi gjyqësor, ndërsa seanca e radhës është caktuar për datë
21.06.2024.
Nga kjo mund të konsiderojmë që të gjitha seancat e shtyra, me përjashtim të seancës së datës 21 mars
2024, të gjitha seancat tjera janë shtyrë me kërkesën e të paditurit Kushtrim Kadriu apo Avokatit Ilir
Shaqiri, meqë rast palët janë njoftuar me kohë, ndërsa pala paditëse çdoherë ka qenë në seancë kur
janë mbajtur shqyrtimet gjyqësore dhe nga këto arsye nuk ka mundur të konsiderohet e tërhequr padia
e paditësit Arianit Ibrahimi, ashtu siç ka pretenduar pala e paditur.
Ndërkohë sa i përket kontaktit apo konfliktit interesi gjyqtarja deklaron që nuk e njeh as paditësin e as të
paditurin.”