Në mëngjesin e 5 prillit të vitit 1999, forca të shumta paramilitare serbe, të armatosura me makineri të rënda luftarake, hynë në fshatin Rezallë të Komunës së Skenderajt. Nën komandën e Ljubisha Dikoviqit dhe vartësve të tij, paramilitarët filluan një mision: spastrimin e Drenicës nga shqiptarët.
Për këtë qëllim, ata fillimisht mblodhën banorët e fshatit në një oborr shtëpie nga ku më pastaj ndanë burrat nga të tjerët. Rreth 50 metra larg nga aty, afër varrezave të fshatit, ata rreshtuan burrat dhe për disa minuta nuk ndalën breshërinë e plumbave derisa u siguruan se ata janë të vdekur. Në këtë vrasje masive humbën jetën 41 shqiptarë. Trupat e 10 prej tyre vazhdojnë të jenë të zhdukur.
Përgjegjës për kryerjen e këtij krimi ishte një gjeneral-nënkolonel serb, Ljubisha Dikoviq. Dikoviq kishte qëndruar në Kosovë vetëm pak kohë më parë.
Ai akuzohet për vrasjen dhe zhdukjen e trupave të 250 shqiptarëve, bazuar në një kallëzim penal të Fondit për të Drejtën Humanitare që udhëhiqet nga Natasha Kandiq.
Tani, Dikoviq po përballet edhe më një kallëzim tjetër penal bazuar në dëshmitë e banorëve të Rezallës.
Bazuar në dëshmitë e banorëve por edhe fakteve të tjera, të mërkurën në Prokurorinë Speciale të Kosovës është ngritur një kallëzim penal në të cilin detajohen fakte të kësaj masakre. Kallëzimi penal nga avokati Arianit Koci, të cilin e ka Insajderi, i është dërguar edhe kryeprokurorit të EULEX-it, Claudio Pala. Aty, përveç Ljubisha Dikoviq, akuzohet edhe komandanti Dejan Randeloviq.
Arianit Koci, avokat, i ka thënë Insajderit se numri i viktimave në këtë masakër është më i madh, por ata kanë arritur të grumbullojnë provat për 41 nga të vrarët.
Derisa të vrarët e asaj masakre në pranverën e vitit 1999 nuk mund të kthehen në jetë, fshatarët e Rezallës kanë një fije shprese se së paku drejtësia do të bie në vend.
Sipas padisë, Ljubisa Dikoviqi ishte komandant i brigadës 37 të motorizuar të Ushtrisë Jugosllave. Nga muaji maj i vitit 1998, shumë oficerë të sigurimit ushtarak, në mesin e të cilëve edhe nënkolonelët Sllobodan Stoshiq (Slobodan Stošić) dhe Miodrag Gjorgjeviq (Miodrag Đorđević), i kanë stërvitur dhe ushtruar grupet e vrasësve.
Ndër ta, ka pasur edhe disa dhjetëra vrasës të dënuar të burgut të Mitrovicës së Sremit.
Nga korriku i vitit 1998, ata i kanë sjellë në Kosovë si vullnetarë dhe pjesëtarë të AJ-së, thuhet në padi.
Kjo brigadë ishte paraparë në planin “Bubullima 98” që përfshinte dërgimin e mbi 4500 paramilitarëve serb në rajonin e Drenicës për të bërë spastrimin e kësaj zone nga shqiptarët.
“Brigada e plotë ka qenë e pranishme nga data 7.03.1999 deri në ardhjen e forcave ndërkombëtare me datën 11.06.1999. Në atë periudhë kjo brigadë [..] nën komandën e Ljubisha Dikoviqit ka vepruar si mbështetje me anë të zjarrit dhe përgatitje për sulmin e njësive të MPB/AJ në fshatrat shqiptare, në të cilat janë kryer vrasje të shumta masive të civilëve shqiptarë, dhunime, plaçkitje dhe shkatërrim i pronës”.
Sipas padisë, fakti që kjo brigadë ka ndërmarrë operacione ushtarake në Rrezallë me 5 prill 1999 është e konfirmuar nga anëtarët e kësaj brigade, Majori Danilo Simonovic dhe Goran Petrovic dhe kapiteni Slobodan Radenkovic, Ky i fundit e ka pranuar publikisht këtë në një intervistë për gazetën “Vojska”.
“Komandanti i Br. 37 mt, Ljubisa Dikoviq, ka dhënë një urdhër për ‘pastrimin e fushë betejës’ së 5 prillit 1999 – ditës së kryerjes së krimit në Rezallë, ose më saktësisht ‘urdhër për gjetjen dhe mbledhjen e trupave të njerëzve nga groposjet e tyre’”, thuhet në padi.
Informatat që përmenden në kallëzimin penal janë të paraqitura edhe nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Beograd.
Në padi thuhet se ka dyshim të bazuar se Dikoviq dhe Randeloviq kanë kryer veprat penale.
“Të gjitha këto raporte, si dhe dëshmitë e personave të gatshëm për të deponuar dëshminë para prokurorisë së EULEX-it do të vërtetojnë se ka dyshim të bazuar se personat e lartëcekur kanë kryer veprat penale”, thuhet në padi./Insajderi.com