Anulimi i vizitës së ministrit për Komunitet dhe Kthim në Bruksel si pasojë e sanksioneve të Bashkimit Europian ndaj Kosovës i ka kushtuar buxhetit të kësaj ministrie mbi 1 mijë e 600 euro, shkruan Gazeta Insajderi.
Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, u cilësua si “viktima e parë” e sanksionove prej masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës në korrik të këtij viti. Ndonëse ishte planifikuar udhëtimi i ministrit Rashiq me dy zyrtarë të kabinetit të tij në Bruksel por ky udhëtim nuk u realizua. 1 mijë e 600 euro u paguan për rezervimin e hotelit dhe biletave edhe pse ato nuk u shfrytëzuan. Nga kjo ministri kanë treguar për Insajderin se këto mjete nuk janë kthyer pas nga hoteli ku ishte bërë rezervimi.
Gazeta Insajderi përmes kërkesës për qasje në shpenzimet e ministrit dhe stafit të tij në udhëtime jashtë shteti ka parë që vetëm në muajin korrik janë shpenzuar 1 mijë e 616 euro.
Gazeta ka kërkuar sqarim nga zyra për media brenda ministrisë për të ditur se ku janë shpenzuar këto mjete.
Në një përgjigje përmes telefonit, nga kjo ministri kanë sqaruar se mjetet janë shkuar për pagesat e hotelit për tre zyrtarë të ministrisë. Ministri Nenad Rashiq dhe dy zyrtarë të kabinetit të tij.
Ndryshe në dokumentin e shpenzimeve brenda Ministrisë për Komunitet dhe Kthim, vetëm për udhëtime zyrtare jashtë shtetit nga muaji janar deri në muajin nëntor janë shpenzuar rreth 3 mijë euro.
Këtu përfshihen 1 mijë e 859 të ministrit Nenad Rashiq. 805 euro të zëvendësministrit Gazmend Salijovic dhe 435 të zëvendësministrit tjetër Mevlud Sinani.
Pse u anulua vizita në Bruksel?
Përmes një videoje, ministri Nenad Rashiq kishte sqaruar se i është anuluar një takim në Bruksel, si pasojë e sanksioneve.
Ai po ashtu kishte treguar se kishte paguar të gjitha kostoto e shpenzimeve duke përfshire hotelin dhe biletat.
“Unë isha viktima e parë e masave që u morën nga BE-ja. Më duhet të them, ne ishim paraparë të niseshim në Bruksel të dielën, ishte qershor. Kishim plan të takoheshim të hënën, dhe duhej të niseshim të dielën. Të gjitha takimet u anuluan të premten pasdite. Zhgënjimi im ishte i madh, u desh të mbulonim të gjitha kostot, si të biletave, hotelit në Bruksel, e nuk shkuam fare atje”, kishte sqaruar Rashiq përmes një video.
/Gazeta Insajderi/