
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Ramush Haradinaj së bashku me anëtarë tjerë të kësaj partie janë takuar me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, përcjell Reporteri.net.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë ish-kryeministri Haradinaj, ku me anë të një postimi në rrjetin social Facebook ka shkruar se bashkëpunimi në mes Kosovës dhe Shqipërisë në shumë fusha kanë qenë temat kryesore të takimit të sotëm.
Tutje Haradinaj shkroi kanë bashkëbiseduar për projektin e Hekurudhës Prishtinë – Durrës, të cilin e sheh si një projket të domosdoshëm për të dy vendet.
“Bashkëbiseduam gjithashtu për projektin e Hekurudhës Prishtinë – Durrës si projekt i domosdoshëm për të dyja vendet, si dhe dhënien e dyshtetësisë për qytetarët tanë”, shkroi Haradinaj.
Postimi i plotë:
Bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë në ekonomi, infrastrukturë, siguri e politikë të jashtme, ishin temat kryesore të takimit të sotëm me Kryeministrin Edi Rama.
Bashkëbiseduam gjithashtu për projektin e Hekurudhës Prishtinë – Durrës si projekt i domosdoshëm për të dyja vendet, si dhe dhënien e dyshtetësisë për qytetarët tanë.
Falënderova Kryeministrin Rama për ndihmën e shtetit shqiptar gjatë krizës energjetike në Kosovë dhe shpreha nevojën e gjetjes së mënyrave të bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve në këtë kohë aspak normale.