Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, pak para përfundimit të mandatit ka vendosur të furnizohet me karrige të reja për zyre. Kjo do t’i kushtojë buxhetit të ZKM’së afro 18 mijë euro. Karriget që do të blehen janë kërkuar të jenë të standardit europian.
Gazeta Insajderi
Zyra e Kryeministrit sot ka hapur tender për “Furnizim me karrige zyre”.
Vlera e parashikuar e kësaj kontrate është 17,500 euro.
Bazuar në detajet e tenderit, ZKM’ja do të furnizohet me 50 karrige të reja. Madje, janë të cekura edhe specifikat se çfarë karrige kërkohen.
Thuhet se kërkohen “Karrige Lëvizëse Ergonomike me bazë kromi”.
Karrika duhet të jetë minimum gjatësia nga toka 120 deri 123 cm, gjerësia mimimum 64 deri 66cm, thellësia minimum 62 deri 64cm.
Tutje, “ulësja e karriges duhet të ofrohet nga materiali polyertene cast foam i mbështjellur nga bezi me bazë fleksibile ngjyrë të zezë.
Shpina dhe koka e karriges duhet të jenë me rrjetë dy shtresore ekzekutive ngjyrë hiri të mbylltë.
Pjesa e shpinës për shkak të fortësisë duhet të ketë shtyllë kromi e cila ngjitet ne bazën e karriges, gjithashtu shpina duhet të ketë mekanizimin sinkronik për përshtatje.
Karriga duhet të ofrohet me yll pesë këmbë krom me diameter prej Ø65 cm.
Dorëzat duhet të jenë nga plastika e zezë me mundësi ngritje poshtë-lartë, para-mbrapa, brenda-jashtë (3D.
Karriga duhet të ketë nivelin 4 te gasliftit sipas standardit europian EN-16139″.
Madje, është ilustruar edhe me foto se si duket një karrige e tillë.
Tenderi do të jetë i hapur deri me nëntë dhjetor 2024.
Kriter për dhënien e kësaj kontrate është çmimi më i ulët që ofron operatori ekonomik ofertues.
Qeveria e Kurtit pak kohë para përfundimit të mandatit, ka vendosur të furnizohen jo vetëm me karrige të standardit europian, por edhe me vetura.
Ditë më parë Insajderi ka raportuar se Zyra e Kryeministrit ka kërkuar edhe vetura me qira me një çmim prej 125 mijë e 500 euro.