Sindikata e Policisë së Kosovës e ka konsideruar të ulët propozimin e Qeverisë së Kosovës për shtesat për rrezikshmërinë në punë tek zyrtarët policorë.
Ata këtë e kanë deklaruar me anë të një komunikate të lëshuar për media pas një mbledhje që ka mbajtur Këshilli Drejtues i sindikatës së policisë. Në njoftim thuhet se këshilli drejtues ka kërkuar që shtesa për rrezikshmëri të mos jetë më e ulët sesa ajo para hyrjes së fuqi të Ligjit të ri të Pagave, shkruan Gazeta Insajderi.
“1. Shtesa për rrezikshmëri të mos mbetet më e ulët se ajo që është pranuar para hyrjes në fuqi të Ligjit të Pagave, që ka qenë në shtatë nivele duke filluar nga 105 euro dhe më larta 215 euro, ose me përqindje në pagën bazë duke filluar nga 25% deri në 50%.
2. Ndërsa për stafin civil, koeficienti të harmonizohet me vendin e punës dhe profesionet që i kryejnë”, thuhet në kërkesën e sindikatës së PK-së.
“Sa i përket propozimit të Qeverisë për shtesat e rrezikshmërisë, vlerësojmë se janë të ulta dhe nuk e arsyetojnë punën dhe rrezikshmërinë në Policinë e Kosovës, prandaj janë të pa pranueshme për secilën kategori, janë diskriminuese për të gjitha njësitë, sepse të gjithë zyrtarët policorë përballen çdo ditë me rrezik dhe kjo e dëshmon me numrin e zyrtarëve policorë që e kanë humbur jetën gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka prezantuar të premten e javës së kaluar shtesat e rrezikshmërisë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Qeveria e ka ndarë shumën e shtesave në shtatë kategori, varësisht prej pozitave të zyrtarëve në Policinë e Kosovës.
“Shtesat për njësitë elitare, për njësinë speciale intervenuese, për njësinë për ndërhyrje të shpejtë, dhe për njësinë për mbrojtje të afërt, janë nga 150 euro shtesë mbi pagën bazë”, ka thënë Kurti në mbledhjen e Qeverisë të së premtes që shkoi.
Ai ka thënë se shtesa prej 120 eurosh do të marrin njësitet operative K-9, dhe njësia për eksplozivët dhe deminim.
“Pjesëtarët e patrullave kufitare do të përfitojnë nga 100 euro në muaj, ndërsa pjesëtarë të hetuesisë nga 75 euro shtesë në muaj. Ekipet reaguese dhe patrullat, që përbëjnë numrin më të madh të Policisë së Kosovës, do të marrin nga 60 euro shtesë në muaj, kurse policëve që angazhohen për sigurinë e objekteve dhe ata në menaxhim të operacioneve, do t’iu ndahen nga 50, respektivisht 40 euro shtesë të rrezikshmërisë”. /Insajderi.org/