Pakistani ka akuzuar kandidatin republikan amerikan,Donald Trump, i cili po garon në zgjedhjet presidenciale në SHBA,se është një “injorant”, pasi ka kërkuar lirimin e një mjeku i cili ishte burgosur pasi kishte ndihmuar CIA-n në gjetjen e Osama Bin Ladenit në vitin 2011.
Trump, një miliarder amerikan, që është kandidati që po i kryeson aktualisht republikanët në garën zgjedhore, i tha javën e kaluar një televizioni amerikan se nëse zgjidhet president, ai do të kërkojë nga Pakistani që ta lirojë Shakil Afridin “për dy minuta”, pasi Islamabadi pranon shumë ndihma nga SHBA-të.
“Për dallim nga idetë e gabuara të z.Trump, Pakistani nuk është një koloni e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka thënë ministri i Brendshëm i Pakistanit, Chaudry Nisar Ali Khan, duke shtuar se Trump duhet të mësojë t’i trajtojë me respekt vendet sovrane.
Ai gjithashtu theksoi se ndihmat që SHBA i ka dhënë Pakistanit, rreth 13 milardë dollarë që nga viti 2001, nuk duhet të përdoren si kërcënim ndaj vendit,
“Fati i Afridit do të përcaktohet nga gjykata pakistaneze e jo nga zotëri Donald Trump, edhe nëse ai bëhet president i SHBA-së”, ka thënë Khan./rel